Rajoni i Lombardisë, në Italinë veriore, është më i prekuri nga pandemia e Koronavirusit në Apenine. Për të sensibilizuar popullatën që të përdorë mjetet mbrojtëse, kryesisht maskën, autoritetet lombarde kanë kërkuar ndihmën e Zlatan Ibrahimovicit, gjigantit suedez, i cili është shndërruar në figurë kryesore në radhët e kuqezinjve me golat e tij. Vetëm pak javë më parë edhe 39-vjeçari u prek nga virusi famëkeq, por pa probleme shëndetësore.

“Virusi më sfidoi dhe unë fitova, por ju nuk jeni Zlatani. Mos e sfidoni virusin dhe përdorni kokën tuaj. Mos harroni të vendosni maskën, të mbani distancën dhe të mbroni ata përreth jush. Ne do të fitojmë”.

Ky është mesazhi i nisur nga sulmuesi i Milanit, i cili i shtyn njerëzit të mbrojnë veten dhe të tjerët. Lombardia donte t’ia besonte këtë mesazh një idhulli të njerëzve, të paktën asaj pjese të pasionuar të futbollit. Autoritet në Lombardi besojnë se zëri i një personazhi me shumë influencë, si Ibrahimoviç, mund të dëgjohet edhe më shumë sesa i një kryetari bashkie apo politikan. Kjo është shpresa.