Ka nisur puna për ndërtimin e lotit 3, të aksit rrugor Durrës-Porto Romano. Ky lot me një gjatësi 3.3 km, është një investim në funksion të Parkut Energjetik dhe Industrial të Porto Romanos si dhe zonave të lira në zhvillim duke lehtësuar qarkullimin e automjeteve. Dy lotet e tjera të kësaj rruge tashmë kanë përfunduar. Kjo zonë ka fluks jo të vogël automjetesh, kryesisht të tonazhit të rëndë. Përfundimi i kësaj vepre do t’a lidhë zonën e Porto Romanos me segmentin Tiranë-Durrës, në daljen e Shkozetit, duke shmangur në këtë mënyrë trafikun në qytetin e Durrësit.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho ndoqën nga afër fillimin e punimeve.
“Ndërtimi i këtij loti, do të bënte të mundur lidhjen e dy loteve të përfunduara tashmë, me Parkun Industrial dhe Energjetik. Projekti është i bazuar në një studim të mirëfilltë për numrin e mjeteve, të cilët do të operojnë në këtë zonë, që janë mbi 120 mijë mjete dhe nga studimi ka dalë që kjo rrugë do të ishte kategoria A urbane. Praktikisht janë rreth 20 metra kurorë e asflatuar, e ndarë në dy karexhata me dy korsi. Ky segment bën të mundur lidhjen e autostradës Tiranë-Durrës me Parkun Energjetik, duke anashkaluar Durrësin”, sqaroi Verdho.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se ndërtimi i këtij segmenti u vjen në ndihmë subjekteve, të cilat operojnë aktualisht në këtë zonë dhe ato, të cilat do të ngrihen në të ardhmen, duke u lidhur më shpejt me autostradën Tiranë-Durrës, por njëkohësisht do të çlirojë ndjeshëm trafikun në qytetin e Durrësi.
“Zona e Porto Romanos është një zone, e cila është vlerësuar prej kohësh si një zonë ekonomike dhe nuk i referohemi vetëm Parkut Energjetik, që padyshim është shumë i rëndësishëm, por edhe zonave të lira, të cilat janë parashikuar në zonën e Spitallës. Duke krijuar këtë akses të drejtpërdrejtë me pjesën e autostradës, lehtësojmë të gjitha subjektet, të cilat parashikohen në të ardhmen që të jenë pjesë e zonës së lirë ekonomike. Sigurisht subjektet, që sot operojnë në zonën e Parkut Energjetik dhe ato që në të ardhmen parashikohet që të ndërtohen, por mbi të gjitha i krijojmë Durrësit një mundësi tjetër përsa i përket trafikut”, nënvizoi Balluku.
Masterplani i hartuar nga Qeveria Shqiptare parashikon zhvendosjen e Portit të mallrave në zonën pranë Porto Romanos duke e bërë këtë segment edhe më të nevojshëm për subjektet tregtare. Ministrja Balluku kërkoi, që pavarësisht kushteve atmosferike të punohet me ritme të shpejta, për të përmbyllur sa më shpejt këtë projekt dhe për të qenë në një kohë sa më të afërt në dispozicion të përdoruesve të rrugës.
“Sipas masterplanit të ri, që ne kemi edhe për ndryshimin e zonës së portit, për të rialokuar disa kilometra larg kësaj zone ku ne ndodhemi, në një zonë komplet të re, afër Porto Romanos, ndërtimi dhe përfundimi i lotit të 3 dhe kështu përfundimi i të gjithë këtij segmenti do të ishte shumë i rëndësishëm për të gjithë zhvillimin ekonomik të zonës Tiranë-Durrës”, nënvizoi ministrja Belinda Balluku.
Në mbyllje të inspektimit, nisur nga kushtet e vështira të motit, ku parashikohet që gjatë javës të ketë reshje shiu me intensitet të lartë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkoi nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe kompanitë kontraktore të mirëmbajtjes angazhim maksimal në mënyrë që në asnjë prej akseve rrugore të vendit të mos ketë pengesa në qarkullimin e automjeteve.