Nën kujdesin e veçantë të Ministres së Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj u zhvillua takimi konsultues me qeverinë vendore për buxhetin e vitit 2021. Gjatë fjalës së saj, Ministrja Denaj tha se pavarësisht rënies ekonomike të këtij viti dhe ritmit të ulët parashikuar për vitin tjetër, financimi nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor, jo vetëm që nuk ka pësuar ulje, por përkundrazi është rritur. “ Në të njëjtën linjë, dëshiroj të risjell në vëmendjen tuaj qëndrimin tonë sa i takon pagimit të detyrimeve të prapambetura dhe shmangies së krijimit të detyrimeve të reja, apo qasjes së kujdesshme drejt politikave vendore fiskale. Këto të fundit duhet të jenë mbi të gjitha në mbështetje të sipërmarrjes shqiptare dhe investitorëve të huaj. Duhet të angazhohemi bashkërisht për një përmirësim të menaxhimit financiar të njësive vendore”, tha Ministrja Denaj.
Në fakt ajo jo vetëm që nuk ka pësuar ulje, por ka një rritje të lehtë mesatarisht 1.3%, krahasuar me vitin 2020, ose krahasuar me vitin 2013 është mbi 90% më e lartë. Është për t’u veçuar fakti se për herë të parë bashkitë do të marrin 800 milionë lekë më shumë nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale. Disa nga treguesit e përmirësuar janë si më poshtë: Decentralizimi dhe fuqizimi i qeverisjes vendore, vazhdon të mbetet një ndër prioritetet e qeverisë dhe reformat e ndërmarra deri më tani pritet të kenë ndikimin më të madh në organizimin e administratës publike vendore në funksion të rritjes së cilësisë në ofrimin e shërbimeve publike vendore. Në vijim të reformës administrativo-territoriale janë bërë reforma të thella në drejtim të menaxhimit financiar në nivel vendor. Mbështetja që ka dhënë qeveria për njësitë e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet reformave të ndërmarra, dhe rritja e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore ka bërë të mundur që: – të rriten mbi tre herë investimet dhe shërbimet publike dhe – njëkohësisht pesha e buxhetit vendor të rritet nga 2.1% e PBB-së në vitin 2013, në 3.3% të PBB-së në vitin 2021.
Për vitin 2021, shpenzimet e buxhetit vendor janë parashikuar në masën 56,3 miliardë lekë, me një rritje prej 5.3% më shumë se në vitin 2020.
Covid-19, ashtu si edhe në vendet e tjera ka pasur dhe parashikohet të ketë efekte negative në rënien e ekonomisë dhe për pasojë dhe në uljen e të ardhurave buxhetore. Me qëllim ruajtjen e stabilitetit të shpenzimeve vendore dhe për mbështetjen për përballimin e shpenzimeve të Covid-19, niveli i transfertës së pakushtëzuar për vitin 2021 do të jetë me një rritje të lehtë krahasuar me atë të vitit 2020. Kjo transfertë është rreth 52% më e lartë se ajo e vitit 2013 dhe rreth 50% më e lartë se e vitit 2015, si viti bazë para reformës administrativo-territoriale. Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore në vitin 2021 do të jenë 25.4 miliardë lekë ose 10% më të larta se sa i pritshmi i vitit 2020 dhe pothuajse mbi dy herë më të larta se ato të viteve 2013 dhe 2015. – Financimi për arsimin parashkollor do të mbështesë pushtetit vendor përmes punësimit të 440 edukatore më shumë se 2019. Në këtë formë garantojmë uljen e numrit të fëmijëve nga 26 për një edukatore në raportin 15 fëmijë për një edukatore. – Rritja e pagave prej 15% që bëhet në kushte shtrënguese për buxhetin do të përballohet nga buxheti i shtetit duke konfirmuar mbështetjen për qeverisjen vendore dhe garantimin e zhvillimit të reformave të domosdoshme të ndërmarra nga qeveria.
– Në buxhetin e vitit 2021, për herë të parë njësive të vetëqeverisjes vendore u është akorduar një fond për mbrojtjen civile prej 500 milionë lekë. Duhet të angazhohemi bashkërisht për një përmirësim të menaxhimit financiar të njësive vendore. Në të njëjtën linjë, dëshiroj të risjell në vëmendjen tuaj qëndrimin tonë sa i takon pagimit të detyrimeve të prapambetura dhe shmangies së krijimit të detyrimeve të reja, apo qasjes së kujdesshme drejt politikave vendore fiskale. Këto të fundit duhet të jenë mbi të gjitha në mbështetje të sipërmarrjes shqiptare dhe investitorëve të huaj. Fryma me të cilën ne si qeveri, po mundohemi të ndërtojmë terrenin e duhur ekonomik, për të mundësuar sa më shumë investime private vendase e të huaja, dhe zgjerim të aktivitetit të bizneseve aktuale, është: – thjeshtësimi i procedurave dhe burokracisë përmes reformës së derregulimit, – përmirësimet i kuadrit ligjor – incentivimi i sektorëve apo investimeve të targetuara. Besoj që bashkërendimi i qasjeve, politikave dhe nismave edhe në nivel rajonal, është me rëndësi. Krijimi një klime më të mirë ndaj biznesit do të ishte një investim i rëndësishëm, si në drejtim të zhvillimit ekonomik vendor, ashtu dhe në përmirësimin e treguesve social në nivel bashkie.
Së fundi, unë besoj që kërkohet dhe patjetër ka vend për më shumë angazhim serioz nga bashkitë, për implementimin e metodologjisë së re të taksimit të pronës. Ne jemi të qartë në këtë pikë, qeveria qendrore ka bërë një investim të rëndësishëm në këtë drejtim. Mbetet e papranueshme që ecuria e taksës së pronës dhe të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat të jenë në rënie. Qëllimi është të përmirësojmë këtë sistem nga i cili mund të përfitoni më shumë të ardhura dhe të ofroni shërbime të përmirësuara për qytetarët. Në shtator të vitit 2019, kemi miratuar udhëzimin për procedurat për menaxhimin e vështirësive financiare të bashkive, që besoj do të jetë një tjetër proces për ruajtjen e shëndetit financiar për njësitë e vetëqeverisjes vendore. Në këtë kuadër ju ftoj të tregoni angazhim maksimal për menaxhimin financiar të njësive të vetëqeverisjes vendore. Në mbyllje, buxheti vendor i vitit 2021, është vazhdimi i mbështetjes së qeverisë për reformat e ndërmarra. Kjo kërkon më shumë përgjegjësi nga ju për më shumë shërbime dhe investime publike për komunitetet vendore. Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbetet një partner i rëndësishëm në ndihmë të njësive të vetëqeverisjes vendore.
Faleminderit