Lajmi se do të ketë një garanci të tretë sovrane të orientuar tek bizneset eksportuese është mirëpritur nga fasoneritë por Florian Zekja përfaqësues i shoqatës ProEksport Albania thotë se shteti duhet të dalë garant 100%, të jetë me normë interesi më pak se 2% dhe të përdoret për investime. Pengesë për marrjen e këtyre fondeve ata konsiderojnë analizat e riskut që bëjnë bankat.
TIRANË– “Ne po bëhemi gati për një garanci të tretë sovrane, e cila do të jetë më e targetuar”, tha Denaj një ditë më parë në Report TV.
Kjo masë e paralajmëruar nga Ministrja e Financave Anila Denaj një ditë më parë në Report TV, është mirëpritur nga biznesi fason, i cili pritet të përfitojë nga ky vendim, duke qenë se garancia e tretë do të fokusohet tek ndërmarrjet eksportuese. Florian Zekja nga shoqata ProEksport Albania thotë se kredia duhet të jetë e ngjashme me garancinë e parë.
“Ne na intereson që kjo paketë të jetë e ngjashme me të parën nga e cila përfituan shumë biznese, sidomos ato të biznesit fason dhe kishte kushte të favorshme për biznesin në përgjithësi. Ishte një kredi që funksionoi dhe zgjidhi problemet në atë moment, ndërsa kredia e dytë sovrane ishte e ngjashme me një kredi normale, e cila nuk ishte e leverdishme për biznesin në përgjithësi sepse nuk aplikojë”, u shpreh Zekja. Kjo mbështetje e tretë buxhetore e cila ende nuk ka marrë formë përfundimtare sa iu takon kushteve dhe kritereve, por biznesi fason jep disa sugjerime, sipas tyre shteti duhet të dalë 100% garant për huanë dhe jo pjesërisht, pasi krijohen pengesa.
“Ne kërkojmë që të jetë me normë interesi më të ulët se 5%, normalisht nga 0-2% normë, të ketë një mbulim kolatererali nga ana e qeverisë 100%, sepse edhe nga kredia e parë po ashtu edhe e dyta kolaterali nuk u shfrytëzua 100%. E treta që duhet të përdoret jo vetëm për paga dhe për sigurime por edhe për investime, blerje të lëndës së parë apo rinovimin e teknologjisë që do e ndihmonte shumë biznesin fason dhe do e përshtaste me ofertat për veshjet sanitare por edhe për kontratat e reja që mund të kemi kohët e fundit”, deklaron anëtari i ProEksport Albania, Florian Zekja.
Kujdes i veçantë sipas Zekjas duhet të tregohet edhe në analizat e riskut që bëjnë bankat në momentin e aplikimit për kredi, pasi shumë biznese nuk e kalojnë këtë fazë. “E rëndësishme do të ishte që analiza e riskut të ishte favorizuese për biznesin fason, pasi shumë biznese kanë mbetur tek analiza e riskut që bankat aplikojnë për dhënien e kredive”, tha Zekja. Sakaq pandemia vijon të mbajë në gjendje kritike eksportet e sektorit fason. Në 9 muaj këto ndërmarrje kanë eksportuar 15.1 miliardë lekë më pak se një vit më parë, dhe rënia më e madhe e tregtisë është regjistruar me Italinë.