Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj komentoi votimin e Kodit Zgjedhor në Kuvendin e Shqipërisë duke u shprehur se ky akt nuk ka shkelur marrëveshjen e 5 qershorit, ndërkohë shtoi faktin se ky veprim nuk do të ndikojë negativisht në çeljen e negociatave.

“Kodi zgjedhor kishte dy aspekte pozitive. Nuk shkelte marrëveshjen e 5 qershorit, por ne i qëndruam kësaj marrëveshje, dhe e dyta u votua nga një shumicë e cilësuar. Këto janë dy aspekt pozitive, që unë i gjeta në deklaratën e ambasadës amerikane. Do të ishte mirë që kjo të kishte marrë mirëkuptim nga të gjitha palët, por nuk jam e mendimit se kjo rrezikon negociatat”, tha ajo.

Ajo komentoi edhe kërkesën drejtuar Parlamentit për ndryshimin e nenit 149 të Kodit Zgjedhor, pasi sipas saj, bie ndesh me Kushtetutën dhe pengon funksionimin e Gjykatës së Lartë. Ministrja shtoi se kjo kërkesë është marrë në shqyrtim, ndërsa shtoi se me kalimin e sotëm të kodit në Parlament është bërë dhe shfuqizimi i dispozitës së kërkuar.

“Kërkesa është marrë, dhe ne sot themi se në këtë ndryshim që është bërë në Kodin Zgjedhor është bërë dhe shfuqizim i dispozitës që ka të bëjë pikërisht me pengesën për promovimit e gjyqtarëve për në Gjykatën e Lartë dhe që janë anëtarë të Kolegjit Gjyqësor”, tha ajo.