Shifrat e infektimeve në Itali ditët e fundit janë të frikshme. Por mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, ka bërë një analizë të hollësishme, pse nuk duhet të panikosemi vetëm nga shifrat. Ai shkruan se treguesit e vërtetë nuk janë numrat e infektimeve, por shtrimet në spital dhe vdekjet.
Ja analiza e plotë: Është e lehtë të gënjesh përmes statistikave, por shumë më e lehtë të gënjesh pa statistika! Miqtë e mi! Si gjithmonë e kemi zakon të shohim Italinë dhe të trembemi! E kemi bërë në mars dhe vazhdojmë ta bëjmë në tetor! Por cilat janë shifrat e Italisë të para pa asnjë emocion? Publikimi i fundit zyrtar në Itali është kryer nga Istituto Superiore della Sanità dhe paraqet situatën dhe shifrat zyrtare në periudhën dyjavore 28 shtator – 11 tetor 2020.
Të dhënat kryesore: Figura 3 tregon shpërndarjen e të infektuarve sipas grupmoshës: 47.1% janë 19-50 vjeç; 24.2% janë 51-70 vjeç; 17.3% janë 0-18 vjeç; 11.3% janë >70 vjeç.
Pra, moshat aktive janë ato që infektohen më shumë (65.3% janë 19-70 vjeç).
Tabela 1 tregon si janë zbuluar pacientët e infektuar: 31.6% përmes kontrolleve screening (testime masive); 30.6% përmes paraqitjes së simptomave; 30.5% përmes hetimit epidemiologjik; 7.3% nuk dihet.
Pra, mund të shihet qartë sa e nevojshme është të testohen personat me klinikë dhe testet masive.
Tabela 2 tregon kush po infektohet: 88.7% janë italianë autoktonë; 7.8% nuk dihet; 2.4 % janë raste të importuara nga jashtë shtetit; 1.1% janë lëvizje ndërmjet rajoneve italiane.
Pra, mbyllja e kufijve nuk ka pasur asnjë kuptim epidemiologjik duke qenë se shumica dërrmuese e rasteve janë pikërisht autoktone.
Ky vendim italian ka pasur kryesisht arsyetim politik.
Tabela 7 është shumë e rëndësishme dhe tregon vdekshmërinë sipas moshave: 18-29 vjeç, 0 vdekje ndër 3.900 raste = vdekshmëria 0.0%; 30-39 vjeç, 2 vdekje ndër 6.009 raste = vdekshmëria 0.0% (shifër shumë e ulët prapa presjes dhjetore); 40-49 vjeç, 4 vdekje ndër 9.182 raste = vdekshmëria 0.0% (shifër shumë e ulët prapa presjes dhjetore); 50-59 vjeç, 23 vdekje ndër 10.600 raste = vdekshmëria 0.2%; 60-69 vjeç, 51 vdekje ndër 3.447 raste = vdekshmëria 1.5%; 70-79 vjeç, 15 vdekje ndër 170 raste = vdekshmëria 8.8%; Moshë e paditur (potencialisht >80 vjeç), 14 vdekje ndër 91 raste = vdekshmëria 15.4%.
TOTALI: 109 VDEKJE NDËR 33.399 RASTE = VDEKSHMËRIA 0.3%
Vëreni se moshat 0-18 vjeç nuk janë fare në tabelë, ndërsa vdekshmëria totale është vetëm 0.3% (gripi sezonal është rreth 0.15%). Dy grafikët e fundit janë të bërë vetë, pasi ISS-ja “nuk e ka parë të arsyeshme” ta bëjë informacionin të dukshëm vizualisht, por e ka paraqitur vetëm me tekst:
Grafiku 1: Gjendja klinike: 55.9% e të infektuarve nuk ka asnjë shenjë të vetme klinike
15.7% e të infektuarve ka shenja minimale; 22.1% e të infektuarve ka shenja të lehta; 6.6% e të infektuarve kanë shenja të rënda (potencialisht të shtruar në spital); 0.7% e të infektuarve kanë shenja kritike (potencialisht të shtruar në terapi intensive). Pra, 92.7 e të infektuarve e kalojnë krejtësisht lehtë sëmundjen!
Grafiku 2: Ku gjenden të infektuarit? 91.2% e të infektuarve po trajtohen në shtëpi; 7.63% e të infektuarve po trajtohen në spital në repart normal; 0.77% e të infektuarve (ose rreth 10% e shtrimeve totale) po trajtohen në spital në terapi intensive; 0.3% ndodhen në një anije karantinë (potencialisht emigrantë ose detarë). 0.1% ndodhen në spital ushtarak (potencialisht personel ushtarak).
Pra miqtë e mi, mesazhet kyçe janë: VDEKSHMËRI (CFR) = 0.3%! VDEKSHMËRI POTHUAJSE 0% DERI NË MOSHËN 50 VJEÇ. 92.8% NUK KANË NEVOJË KLINIKE TË SHTROHEN NË SPITAL!`; shkruan Alimehmeti.