Në rrugën pa kthim drejt rienergjizimit të administratës publike, përmes kapaciteteve të reja njerëzore dhe intelektuale, që i bashkohen trupës së shërbëtorëve publikë me meritë dhe aftësi, Monika Muça, studentja ekselente e drejtësisë, është një tjetër shembull motivues për të rinjtë që dëshirojnë të demonstrojnë potencialin e tyre në administratën shtetërore. Kryeministri Edi Rama publikoi sot historinë e Monikës e cila pasi përfundoi studimet e nivelit master në të Drejtën Civile, aplikoi në thirrjen e dytë të shpallur në platformën e punësimit të ekselentëve http: //punetembare . gov . al, dhe fitoi vendin e punës si specialiste e burimeve njerëzore në drejtorinë e përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror.

“Kur pashë që miqtë e mi kishin fituar pozicione shumë të mira në administratën publike dhe më thonin që është një procedurë shumë transparente, mendova të aplikoj dhe vërtet me rezultoi ashtu”, u shpreh Muça. Me arritjet e mia në shkollë dhe me dosjen e kompletuar, u shpreh Monika, arrita të kem një pozicion pune në administratën publike. Monika është njohur në vitin 2019 me mundësinë që qeveria shqiptare u dha studentëve të ekselencës.

Ajo aplikoi në thirrjen e dytë në shtator të vitit 2019 dhe në tetor të vitit 2019 ajo është futur në proceset e rekrutimit organizuar nga departamenti i administratës publike. Përmes kësaj platforme, 602 të rinj dhe të reja ekselente, janë bërë pjesë e administratës publike, e cila sot, falë edhe korrektesës dhe integritetit të tyre, është kthyer në bazën e fortë dhe të qëndrueshme të shtetit modern që i përgjigjet në kohë nevojave të qytetarëve.