Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit Moody’s konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B1”, si dhe me perspektivën “e qëndrueshme”.
Sipas Moody’s, pandemia e koronavirusit ka prekur Shqipërinë për shkak të kufizimeve të brendshme, si dhe prej ndikimit që pati në tregti dhe remitanca, faktorë kryesorë të konsumit privat. Ndërsa thekson se, zbatimi i reformave në përputhje me anëtarësimin në BE, kuadri fiskal, administrata tatimore dhe mbledhja e të ardhurave janë përmirësuar gjatë viteve të fundit.
Konkretisht, Shqipëria ka përmirësuar planifikimin dhe ekzekutimin e saj fiskal. Ndryshimet në Ligjin Organik të Buxhetit në mes të vitit 2016 dhe sistemet e vendosura për të monitoruar dhe zgjidhur problematikat me detyrimet e prapambetura pritet të sigurojnë një pozicion fiskal më pak të lëkundur në të ardhmen.
“Në kontrast me periudhën parazgjedhore në 2013, ku rezultoi një akumulim i konsiderueshëm i detyrimeve të prapambetura (4.8% të PBB-së), asnjë rrëshqitje fiskale nuk ndodhi gjatë periudhës së zgjedhjeve të fundit, falë dispozitave të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit, të cilat disiplinojnë ekzekutimin e deficitit në vitet zgjedhore. Në korrik 2020, qeveria miratoi amendime të mëtejshme në Ligjin Organik të Buxhetit, duke përfshirë një rregull fiskal për një balancë primare të paktën zero duke filluar nga viti 2023 e në vijim”, thuhet në raport.
Gjithashtu, Agjencia vlerëson se konsolidimi fiskal do të rifillojë vitin e ardhshëm. Rritja e të ardhurave dhe përmirësimi i cilësisë së shpenzimeve do të jenë thelbësore për rikrijimin e hapësirave fiskale, pas goditjes së koronavirusit.
Sipas raportit, ndryshimi i fundit në Ligjin Organik të Buxhetit, që synon një balancë primare të paktën zero nga 2023 e tutje, do të ankorojë konsolidimin fiskal në periudhën afatmesme e afatgjatë.
Megjithëse kuadri fiskal është forcuar, rreziqet fiskale mbeten. Me mbështetjen e FMN-së, Bankës Botërore dhe BERZH, qeveria ka bërë progres në përmirësimin e kuadrit fiskal dhe adresimin e një pjese të mirë të rreziqeve.