Nga ARTUR AJAZI
Ka mbi 1 muaj, që Lulzim Basha (si dikur sekretarët e parë të rretheve) ka nisur të dalë “çadër më çadër”, duke dashur të tregojë se “ai është atje ku janë hallet e shqiptarëve”. Nuk po lë çadër pa shkelur, nuk po lë “hallexhi” pa vajtur, dhe pa e filmuar dhe hedhur në fb, a thua se Lulzimi po zbraz xhepat dhe po u paguan qeranë apo po u zgjidh problemin. Gjithçka ka rezultuar se ka qenë e sajuar, gjithçka ka rezultuar se ka qenë e “peshkuar” qysh më parë nga “ush tarët” e Lulzimit që ka në rrethe dhe zona të tjera, pasi bashkitë respektive u kanë përgënjeshtuar pothuajse të gjitha lajmet e gënjeshtërta. Mos u tall me ata të “çadrave” Lulzim, sepse nuk fitohet pushteti duke dalë dhe duke takuar “hallexhinj” fushate, mos u tall me ata qytetarë që ndoshta aksidentalisht u besojnë profkave të tua, se “PD do të fitojë pushtetin, dhe ju do të jetoni si në Europë”.
Boll i ngope me lugë “floriri” Lulzim, por ktheu tek rruga e duhur, kthehu tek problemet kryesore të shqiptarëve, ose qëndro më mirë tek problemet e partisë tënde. E ke kthyer Partinë Demokratike si “Portokalli”, dhe po gajas dynjanë me listat e “reja të kandidatëve”. Nuk po lë futbollist dhe aktor teatrosh pa ftuar dhe firmosur për tu bërë deputeti partisë tënde, edhe pse i ke piketuar, ti përdorësh për interesat e tua. Mos u tallme ata të “çadrave”, mos u tall edhe me futbollistët apo dhe aktorët e “Theatrit”, që besojnë vërtetë, se e ke seriozisht “hapjen dhe ribashkimin e partisë tënde”. Mos u tall më me ata fakirë të “çadrave” që pasi u dërgon me sejmenët e tu, ndonjë thes me ndihma u shkon për vizitë, dhe rastësisht “zbulon se ata nuk janë trajtuar me ndihma financiare nga qeveria”. Nuk është e rastësishme, që gjithmonë kur Lulzim Basha niset dhe futet në çadërat e banorëve të dëmtuar nga tërmeti, ndodh habia e madhe. Bashkitë nxjerrin zbuluar Lulzimin, Gridën, Ariolën, Ervinin, Gazin, apo dhe sejmenët e rretheve, duke u vënë atyre në dispozicion dokumentacion zyrtar ku rezulton e kundërta.
Në fakt “çadra”, është dobësia e Lulzimit, pasi pikërisht nga çadra, 4 vjet më parë ai nisi “betejën e vjetër për votën e lirë”. Sepse pikërisht nga çadra, ai 4 vjet më parë nisi “udhën” drejt marrëveshjes me kryeministrin Rama, nga ku shpreson sërish se “mund të ndodhë mrekullia”. Nuk ka pushtet më nga çadrat Lulzim, ndaj ktheu tek rruga e duhur. Nuk ka “tryeza partish” më Lulzim, nuk ka as shkëmbim “korrierësh” për të zgjidhur ti hallet dhe problemet që aktualisht ke me Partinë Demokratike. Ndoshta një ditë mund të të ngrihet një “çadër” në mes të SHQUP-it, nga ata që ti i përzure sërish nga partia me lezet, duke u premtuar poste dhe ofiqe kur të “marrësh pushtetin”. Mos u habit Lulzim, kur në oborrin e SHQUP-it , të ngrihet çadra e madhe e “lirisë” nga ata që deri sot i përdore tek Astiri, tek Parlamenti, apo tek Bulevardi, për të afruar në gjirin e partisë sportistë, muzikantë, aktorë, (pa harruar Xhelal Mziun) por jo profesorë dhe akademikë, sepse këta të fundit nuk të qasen ty, janë larg imazhit dhe preferencave të tua politike.