Tre liqene të tjera nëntokësore janë zbuluar në Polin Jugor të Marsit, duke iu shtuar atij të zbuluar dy vite më parë nga Agjencia Hapësinore Amerikane, NASA. Shkencëtarët thonë se uji ndodhet në gjendje të lëngët dhe zbulimi mund të jetë me interes të madh për të studiuar mundësinë formave të jetës brenda sistemit tonë diellor dhe jashtë Tokës. Roberti Orosei, nga Instituti i Astrofizikës i Bolonjës dhe bashkëautor në këtë zbulim thotë se prania e ujit nëntokësor përforcon bindjen mes komunitetit të shkencëtarëve se dikur në Mars uji ka rrjedhur në formën e lumenjve dhe liqeneve, ngjashëm si në Tokë sot.
“Marsi ka kaluar nga periudha e ftohtë në një periudhë të nxehtë. Mes këtij ndryshimi ekstremisht klimatik ka pasur periudha kur mund të ketë adoptuar jetë, forma të të cilave mund të gjenden edhe sot në nëntokën e tij”, thotë Orosei. Zbulimi i fundit u bë duke përdorur të dhënat e siguruara nga Mars Express i Agjencisë Hapësinore Europian, që orbiton në këtë planet që prej dhjetorit të 2003-it. Në 2018 shkencëtarët përdorën të dhënat e siguruara nga radari Marsis për të rënë në gjurmët e një liqeni me diametër 20 kilometra dhe thellësi 1.5 kilometra nën sipërfaqen marsiane në Polin e Jugut.
“Jo vetëm që saktësuam pozicionimin dhe shtrirjen e liqenit të zbuluar në 2018, por zbuluam edhe tre liqene të tjera në zona të tjera përreth Polit të Jugut”, shtoi Elena Pattinelli, gjithashtu bashkëautore në studim. Liqeni kryesor është i rrethuar nga tre liqenet e tjera, por shkencëtarët thonë se e kanë të pamundur që të përcaktojnë aktualisht nëse ata janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin.
Shkencëtarët hamendësojnë se uji në liqenet marsiane duhet të përmbajë një sasi shumëfish më të lartë kripe se ajo e oqeaneve në Tokë. Vetëm në këtë mënyrë, thonë ata, mund të shpjegohet gjendja e tyre e lëngët nën temperatura që qëndrojnë vazhdimisht me dhjetra gradë celcius nën zero.