Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë, Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaccka kanë marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të 60 respiratorëve të rinj nga Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO). Ministrja Manastirliu tha se kjo është një mbështetje e vyer për sistemin shëndetësor, në kuadër të forcimit të njësive të terapisë intensive në spitalet universitare dhe rajonale në këtë situatë të pandemisë.
“Dua t’ju falenderoj për mbështetejen e vazhdueshme të gjithë vendeve anëtare të NATO-s për mbështetjen konkrete, për fuqizimin e sistemit tonë shëndetësor”, tha Manastirliu.
Manastirliu deklaroi se gjatë periudhës së pandemisë kapacitetet janë rritur me 173 respiratorë, duke dyfishuar aparaturat jetëshpëtuese në terapitë intensive të spitaleve në të gjithë vendin, falë investimeve të qeverisë shqiptare dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë.
“Duke marrë masat kufizuese arritëm të përgatitemi në kohë për të pasur gati strukturat spitalore dhe aktualisht në sistemin tonë shëndetësor kemi dyfishuar kapacitetet respiratore. Aktualisht janë 173 respiratorë dhe me flotën e respiratorëve të transportit ne dyfishojmë flotën e respiratorëve që i shtohen kapaciteteve ekzistuese prej 200 respiratorësh që kishim në fillim para se të përballeshim me epideminë. Deri në fund të vitit do të rrisim me 44 respiratorë të avancuar, për të gjithë strukturat tona në sistemin shëndetësor publik dhe spitalet rajonale, për t’ju përgjigjur rritjes së rasteve dhe nëse do jetë e nevojshme do të përfshihen spitalet rajonale duke hapur pavione të veçantë”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se vijojnë përgatitjet për të përballuar situatën e vjeshtë-dimrit, duke apeluar se asnjë përgatitje nuk do të jetë e mjaftueshme nëse nuk respektohen rregullat e vendosura.
“Nuk e kemi ndalur në asnjë moment punën për të rritur investimet, qoftë nga buxheti i shtetit, qoftë nga investimet e huaja. Sipas të gjitha projeksioenve të ekspertëve do të kemi një tjetër përballe, do të kemi dhe gripin sezional, ndaj do të ketë më shumë të infektuar dhe më shumë shtrime në spitale. Deri në fund të vitit Urgjencës Kombëtare do t’i shtohen 36 autoambulanca të reja, ndërkohë që nuk do të lëmë pas dhe shërbimet për patologjitë e tjera. Gjithashtu edhe burimet njerëzore që do të shërbejnë në dy spitalet e tjera Covid3 dhe Covid4 janë gati. Kemi një përgjigje për situatën në vazhdim, por asnjë kapacitet nuk do të jetë i mjaftueshëm nëse nuk do të zbatojmë rregullat e vendosura, mbajtja e maskës, ruajtes së distancës dhe të higjienës. Qeveria është e fokusuar në investiemt në shëndetësi, me fokusin tek aseti ynë më i çmuar, mjekët dhe infermierët. Rritja e pagave me 40 % është vlerësimi i duhur për atë çfarë nuk janë vlerësuar në të shkuarën dhe për atë që duhet të vlerësohen në të ardhmen”, tha Manastirliu.
Duke nënvizuar se aktualisht më pak 10 % e kapaciteteve të terapisë intensive janë të zëna, Manastirliu u shpreh se po vijohet me përgatitjet në infrastukturë dhe burime njerëzore për të përballuar situatën e vjeshtë-dimrit ku pritet një rritje e numrit të të infektuarve.