Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni deklaroi se opozita jashtëparlamentare ka negociuar për votimin e Kodit Zgjedhor në Kuvend dy ditë më parë, ku përveç votave të maxhorancës u mbështet dhe nga disa deputetë opozitarë.

I ftuar në emisionin “Real Story” Hyseni teksa bëri deklaratën e fortë, shigjetoi PD-në se kjo forcë politike ka ndikuar në këtë proces.

“Ti si parti duhet të jesh i çiltër dhe të thuash; mua më djeg çështja e koalicioneve (I drejtohet Suljat). Koalicionet lejohen. Shqiptarët e dinë këtë. Por s’ka më koalicione ku disa parti të vogla që kanë një farë elektorati nuk përfitonin kurë. Ato voto i merrte një parti e madhe. Tashmë s’mund ta bësh më si çetë, ku të bësh pazarin e radhës. E t’i thuash; “unë kam 10 mijë vota dhe do më japësh çelësin e asaj drejtorie”. Njerëzit tuaj më të mirë paraqituni shqiptarëve, kush ju pengon? Ju e keni mendjen tek trasta. Atë trastën me të cilin ju vini bosh dhe doni ta mbushni. Shqiptarët janë bërë të zgjuar dhe e kuptojnë. Nuk ka më kështu, ndaj u hoq. E bëmë si europianët. PD na ndihmoi për votat, pasi nuk i bënim dot ato. Opozita jashtëparlamentare ka negociuar, forca e madhe (Për PD). Nga informacionet tona ka pasur njerëz… 97 vota s’janë të maxhorancës, ajo ka 74 të sajat dhe ja nga 4 vota të partive aleate. Në perëndim me 97 vota kalonin çdo kushtetutë.”, tha Hyseni.