Kuvendi sot do të votojë ndryshimet kushtetuese të reflektuara në Kodin Zgjedhor, me të cilat do të shkohet në zgjedhjet e 25 prillit. Dy pikat kryesore ku do të fokusohet më shumë parlamenti janë miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor si dhe emrat për drejtuesit e organeve të KQZ-së së re. Kujtojmë se komisioni i ligjeve së fundmi ka miratuar draftin e ti të PS-së rirenditjen e listave të kandidatëve e cila do të bëhet me votë preferenciale që fillon nga kandidati i parë deri tek i fundit. Herësi nuk do të jetë më i madh se 10 mijë vota dhe pragu elektoral është përcaktuar 1% dhe jo 3% siç ishte propozuar në fillim. Ndërkohë PS ka saktësuar një prej pikave të draftit të saj ku kryetari i partisë mban vetëm 1 mandat pavarësisht se mund të garojë në 4 qarqe.

Seanca e sotme plenare ka nisur me një fjalim nga kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili ka bërë një përmbledhje të gjitha zhvillimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Sipas tij, këto ndryshime reflektojnë të gjitha pritshmëritë e qytetarëve, teksa shtoi se nuk priste që të kishte konsenus të përgjithshëm. “Kjo seancë është stacioni i fundit i një rrugëtimi të gjatë, që nisi me ngritjen e Komisonit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, në fillim të kësaj legjislature.

Miratimi sot i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe i institucioneve të reja të administrimit të zgjedhjeve do të ndikojë në mënyrë kapilare dhe pozitive në proceset zgjedhore të ardhshme në Shqipëri. Me këto ndryshime, Kuvendi iu afrua maksimalisht, natyrisht aq sa e kishte të mundur, alternativave të forcave politike për ndërtimin legjislacionit e infrastrukturës zgjedhore që u shërbejnë zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kryesorja është se plotësuam pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, të cilët i kanë artikuluar qartë kërkesat për rregulla zgjedhore që nuk deformojnë e anashkalojnë, por garantojnë vullnetin e tyre. Standartet perëndimore mbi të cilat mbështetet legjislacioni dhe institucionet e zgjedhjeve që po miratojmë sot, janë të përcaktuara nga rekomandimet e Këshillit Europian dhe Bundestagut Gjerman, dy udhë hartat kryesore nga të cilat udhëhiqet Kuvendi, si garantues i legjitimitetit dhe kontrollit politik e ligjor të rrugëtimit europian të Shqipërisë.

Askush nuk e kishte menduar se kjo ditë do të vononte kaq shumë, duke pasur parasysh se Komisionin për Reformën Zgjedhore e ngritëm që në fillim të legjislaturës. Vonesa ndodhi, jo se nuk dëshiruam, por nuk mundëm. Miratimii reformës zgjedhore u vështirësua nga pengesa të paparashikuara. Por asgjë nuk e pengoi Kuvendin e Shqipërisë të ecë me vullnet e guxim drejt konkludimit të këtij procesi. Nuk ishte e lehtë të arrinim deri këtu, duke harmonizuar alternativat e shumicës me opozitën parlamentare dhe opozitën jashtë Kuvendit. Disa herë dhe për mjaft çështje, diferencat midis projekteve të opozitës parlamentare dhe asaj joparlamentare ishin më të mëdha sesa diferencat e tyre me projektet e shumicës qeverisëse. Megjithatë, ju ftoj të shohim përpara. Ne as prisnim dhe as insistojmë të kemi konsensus politik për gjithshka. Në një republikë parlamentare, konsensusi i plotëdhe për gjithshka është vetëm një ideal, i cili në jetën reale realizohet si një konsensus parlamentar kushtetues.

Ligjet dhe vendimet që miratojmë sot nuk janë një produkt laboratori, por rezultat i një procesi politik e parlamentar real, që mbështetet në themele të forta kushtetuese. Kuvendi është i bindur se përfitimet nga ligjet që miratojmë sot janë joproporcionale me kontributet në proces. Por këtë e pranuam me vetëdije, për hir të rikthimit në proces të opozitës jashtëparlamentare. Si Kryetar i Kuvendit, sot i falenderoj të gjithë, si kontribuesit, ashtu edhe oponentët e këtij procesi dhe të këtyre produkteve. Falenderoj Komisonin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Komisionin e Ligjeve, komisionet parlamentare, komisionet e tjera të ngritura nga Kuvendi si edhe gjithë deputetët për kontributin e tyre në këtë proces. Falenderoj Këshillin Politik, i cili si një organizëm jashtëparlamentar, kontribuoi në këtë proces si edhe opozitën joparlamentare për hapin e parë të kthimit në sistem.

Falenderoj opozitën parlamentare që pranoi sfidën e bashkëpunimit me opozitën jashtë-parlamentare. Natyrisht, falenderoj shumicën parlamentare, e cila në këtë proces nuk u soll si triumfatore, por si një shumicë dorështrirë, e cila disa herë e vendosi me vetëdije veten në pozitën e negociatorit, madje edhe të opozitës. Ju ftoj të gjithëve të votojmë pro ligjeve dhe vendimeve që janë në rendin e ditës të kësaj seance”, tha Ruçi.