Pavarësisht kufizimeve të pandemisë, në 9 muaj eksportet e fruta-perimeve nga Shqipëria janë rritur me 18%. Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi ishte në dy pikat e grumbullimit të Lushnjës, kur tha se kostot e fermerëve vitin që vjen do të përgjysmohen si pasojë e lehtësimit të barrës fiskale të karburantit.

“Eksportet, sidomos të fruta-perimeve, kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2020. Vetëm për nëntë mujorin e këtij viti eksporti i fruta-perimeve është rritur me 18% në sasi dhe 17% në vlerë. Kjo është një shifër e konsiderueshme duke marrë parasysh që jemi në një vit me kufizime për shkak të pandemisë. Në vitin 2021 me buxhetin e ri të shtetit ne kemi planifikuar 10 milionë dollarë për t’iu dhënë fermerëve naftë pa taksa. Nëse sot fermerët e marrin naftën me 160 lekë litri, do ta marrin me 80 lekë/litri”, tha Çuçi.

Për periudhën Janar-Shtator janë eksportuar 25.4 miliardë lekë, dhe produktet bujqësore më të eksportuara gjatë këtij 9 mujori janë pjepër e shalqi, domate, kastravecë, speca dhe zarzavate të tjera. Çuçi tha se nga viti 2013 e deri më sot janë investuar 20.8 milionë euro në pikat e grumbullimit.