Trajtimi i mbetjeve urbane në gjithë Europën paraqet një sektor shumë të zhvilluar industrial. Ai nis që nga riciklimi, e më pas kapsulimi por edhe asgjësimi në temperatura shumë të larta.
Trajtimi i mbetjeve ka një kosto financiare e cila paguhet nga qytetet apo edhe qeveritë. Kjo kosto është e përkthyer në njësi për një ton. Në Tiranë kjo shifër është 29 euro për një ton. Kaq paguhet për trajtimin e mbi 800 ton mbetje urbane që krijohen çdo ditë. Së fundmi ka patur shumë debate në lidhje me këto kosto. 10 vite më parë në një projekt të përgatitur nga bashkia e Tiranës, kjo kosto shkonte në 37 euro në total.
Por le të shohim se sa janë këto kosto në disa vende të ndryshme të Evropës. Franca, një nga vendet me normat më strikte në trajtimin e mbetjeve ka një kosto prej 152 euro për një ton mbetje. Austria 87 euro, Irlanda 75 euro për ton dhe Danimarka me 63.3 euro për ton. Spanja dhe Polonia ka një tarifë mbi 47 euro për çdo ton mbetje të depozituar. Ndërsa vendet fqinje me Shqipërinë, si Greqia kostot i kanë 60 euro për një ton. Gati 50 euro është kosto për trajtimin dhe asgjësimin e një ton mbetje në Kroaci.