Presidenti amerikan, Donald Trump, iu shmang pyetjes nëse nënpresidenti, Mike Pence, do të ndalojë aktivitetet e fushatës zgjedhore, pasi shefi i stafit dhe punonjës të tjerë në zyrën e tij dolën pozitivë për COVID-19. “Ju do të duhet ta pyesni atë”, tha Trump ndërsa vizitoi një pemishte në Maine më 25 tetor. Pence gjithashtu vazhdoi me fushatën e tij të planifikuar më 25 tetor, duke bërë një paraqitje në Karolinën e Veriut ndërsa ai injoroi zyrtarët shëndetësorë të cilët thanë se ai nuk po respektonte rekomandimet e Grupit të Punës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, të cilin ai e drejton.
Shtëpia e Bardhë pretendoi se Pence, i cili ka rezultuar negativ, nuk ka pse të izolohet sepse puna që ai bën përjashtohet nga udhëzimet e qeverisë për hyrjen në karantinë për 14 ditë pas kontaktit me një person të infektuar. Shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, tha se personeli thelbësor duhet të vazhdojë punën e tyre. “Ne nuk do të kontrollojmë pandeminë”, tha ai më vonë në CNN, duke shtuar se fokusi i Shtëpisë së Bardhë është tek vaksinat dhe terapia.
Kandidati demokrat për president, Joe Biden komentoi deklaratat e Meadows, duke thënë se ai “pranoi në mënyrë mahnitëse se administrata ka hequr dorë nga përpjekjet madje edhe për të kontrolluar këtë pandemi, se ata kanë hequr dorë nga detyra e tyre themelore për të mbrojtur popullin amerikan”. Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 3 nëntor. Në fillim të muajit tetor, edhe presidenti Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, ishin midis disa personave në Shtëpinë e Bardhë që dolën pozitivë në koronavirus. Trump kaloi tre ditë në spital duke marrë trajtim kundër sëmundjes COVID-19.