Qeveria e Shqipërisë dhe Banka Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim firmosën sot tre marrëveshje të rëndësishme për integrimin europian dhe turizmin. Marrëveshja u lidh përmes një takimi online, midis Kryeministrit Rama dhe Presidentit të BERZH, Jurgen Rigterink. I pranishëm në videokonferencë ishte edhe ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca.
Përsa i përket turizmit, BERZH do të financojë zhvillimin e infrastrukturës rrugore, asaj turistike dhe rehabilitimit të parqeve natyrore e kulturore në katër qarqe të vendit, në Shkodër, Korçë, Berat dhe Fier.
Megjithatë, fokusi kryesor i takimit ishte marrëveshja 5-vjeçare për mbështetjen e Shqipërisë në plotësimin e reformave të domodoshme në kuadër të integrimit europian.
Akordi nuk përcakton një shumë të caktuar financimi, por lë të hapur një bashkëpunim të zgjeruar në çdo fushë që shteti shqiptar do të shohë të nevojshme gjatë fillimit të procesit të gjatë të negociatave.
Tipikisht, marrëveshjet e shtetit shqiptar me BERZH, Bankën Botërore, FMN apo institucione të tjera financimi kanë përcaktuar gjithmonë qartë fokusin ku do të përqendroheshin këto investime. Ndryshimi i kësaj qasje konfirmon progresin e realizuar nga Shqipëria në rrugën e saj europiane.
Tanimë vendi ka arritur një stad në të cilin janë institucionet e huaja besojnë se shteti shqiptar ka kapacitetet e nevojshme për të hartuar strategjitë e veta dhe për të përcaktuar vetë ai se cilat janë fushat kryesore në të cilat do të ketë nevojë për akses të shtuar në financim.