Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zbuloi ditën e sotme disa nga personazhet e njohur të politikës që kanë studiuar tek “Sami Frashëri” dhe që sot pengojnë rindërtimin e shkollës. Ai theksoi se dikush që përçan, nuk i duhet askujt. “A mjafton të kesh qenë në një shkollë të mire, nëse zemrën e ke mbrapsht? A mjafton të kesh shkuar në një shkollë të mirë nëse mendjen e ke mbrapsht? A mjafton të kesh mbaruar një shkollë të mirë nëse shpirtin e ke të helmuar? Se edhe Ilir Meta ka mbaruar “Sami Frashërin”, edhe Lul Basha ka mbaruar “Sami Frashërin”, edhe Jorida, shoqja jonë në klasën paralele me ne, e cila varej sot tek kangjellat e Samiut dhe recitonte historitë e Saliut dhe të Monikës. Nuk mjafton nëse nuk e ke zemrën në vendin e duhur, nëse nuk e ke mendjen në vendin e duhur, nëse nuk e ke shpirtin të pastër, nuk mjafton vetëm arsimimi. Ndaj, edhe ne në Partinë Socialiste, më shumë se sa vitet e arsimit, më shumë sesa vitet e jetës, më shumë sesa vitet e kontributit të secilit prej nesh, kemi zemrën, mendjendhe shpirtin e përbashkët”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se PS-ja është forca që sjell ndryshimin dhe që punon çdo ditë. “Në momentin që je përtac, që gënjen sistematikisht, që i përçan njerëzit, nuk i duhesh as dreqit. Nuk ka rëndësi nëse ke mbaruar “Samiun” këtu apo “Samiun” e Tropojës apo “Samiun” e Sarandës. Jam i sigurt se shkolla me këtë emër ka kudo, por nëse përvesh mëngët për punë, nëse mban fjalën, nëse i do njerëzit, nëse fokusohesh tek bashkimi dhe nëse respekton komunitetin me punë, me meritë dhe me talent, ti je i denjë për të qenë anëtar i kësaj familje të kryeqytetit, anëtar i kësaj partie që sjell ndryshim, anëtar i kësaj skuadre që punon përditë, kjo është diferenca”, deklaroi Veliaj.