Si e shihte kryeqytetin serb arkitekti i famshëm zviceran Le Corbusier gjatë një udhëtimi në Orient në vitin 1911?
Nga Enver Robelli/
Në libraritë e pajisura mirë në Beograd ende mund të gjendet libri me kujtime, mendime e udhëpërshkrime i zviceranit Charles-Édouard Jeanneret (1887-1965). Serbët e kanë përkthyer dhe botuar në gjuhën e tyre, ndonëse konstatimet e Jeanneret për qytetin e Beogradit janë të ashpra, pothuaj fyese. Çdo student i arkitekturës e di kush është Charles-Édouard Jeanneret, ndërsa çdo lexues i informuar atë e njeh me emrin Le Corbusier. I lindur në La Chaux-de-Fonds në Zvicrën perëndimore, Le Corbusier konsiderohet si njëri prej arkitektëve më të mëdhenj të shekullit të XX. Le Corbusier ishte më shumë se arkitekt: planifikues urban, piktor, dizajner mobiliesh, teoricien i arkitekturës. 17 ndërtesa të tij janë të mbrojtura nga UNESCO.
Në vitin 1911 Le Corbusier ndërmori një udhëtim studimor në Orient, me ç’rast vizitoi, krahas Konstantinopojës (Stambollit) dhe Greqisë, edhe Beogradin. Ose thënë më ndryshe: ai qëndroi disa ditë në kryeqytetin serb, sepse andej kalonte rruga e tij drejt Orientit. Le Corbusier shkoi në Beograd me idenë se po vizitonte një qytet për të cilin kishte dëgjuar se është “Porta e Orientit”.
U largua nga ky qytet me përshtypjet më të këqija. Shkroi se Beogradi është një “kryeqytet qesharak”, “i ndotur”, “i pandershëm”, “i dezorganizuar”. Në atë kohë Beogradi ishte ende një qytet me arkitekturë osmane dhe kjo me gjasë nuk i kishte bërë përshtypje arkitektit zviceran, i cili ishte adhurues i formave të qarta. Për Le Corbusier Beogradi ishte një qytet “i prishur, i çrregullt, plot me vjedhës”.
Po të jetonte ende Le Corbusier dhe nëse do të vizitonte Serbinë edhe njëherë, do të kuptonte se në këtë vend ekzistojnë mbi 2,2 milionë objekte të ndërtuara pa leje. Do të shihte se si njerëz të maskuar (me gjasë me urdhër të qeverisë) prishin shtëpi për t’i lëshuar rrugë projektit megaloman “Beogradi mbi ujë” – një projekt i shtyrë nga presidenti dhe ish-kryeministri Aleksandar Vuçiq dhe i financuar nga investitorët arabë. Më 1911 Le Corbusier qe i entuziazmuar kur pa pozitën e qytetit në bashkimin e lumenjve të Savës dhe Danubit. Nga kjo pozitë mund të bëhej diçka e bukur, do të ketë menduar Le Corbusier, para se të vazhdonte rrugën drejt Orientit.
Ndërkohë gjurmët e godinave osmane në Beograd janë zhdukur pothuaj plotësisht, përfshirë edhe dhjetëra xhami ose objekte të tjera kulti. Sa herë që nacionalistët serbë nevrikosen, sulmojnë ose xhaminë e vetme të Beogradit, ose ndonjë ambasadë perëndimore për shkak se shtetet përkatëse përkrahin pavarësinë e Kosovës.
Megjithatë, jo çdo gjë osmane është zhbërë. Njëra ndër lagjet më të njohura të Beogradit quhet Dorçol – nga turqishtja “dört” (katër) dhe “yol” (rrugë), por arkitektura që dominon këtu është kryesisht jugosocialiste. Le Corbusier mbase nuk do ta ndryshonte mendimin e tij të shkruar më 1911 mbi dukjen arkitektonike të Beogradit.