Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të mbajtur në Tiranë tha se njohja e shtetit të Kosovës nga Izraeli është e një rëndësie të veçantë pasi çel një perspektivë në konsolidimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Sa i përket ambasadës në Jeruzalem, ne jemi vend i ri dhe kemi nevojë për njohje. Me marrëveshjen e Uashingtonit përveç projekteve ekonomike të mëdha infrastrukturore që ndërrojnë komplet konjukturën ekonomike në Kosovë por edhe në rajon, ka ardhur edhe një njohje që është tepër e rëndësishme, çdo njohje është e rëndësishme por kjo është e rëndësisë pak më ndryshe sepse hap një perspektivë krejt tjetër në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Më vjen mirë që në politikën e jashtme ne jemi në të njëjtat linja sa I përket parimeve dhe interesave tona në politikën e Jashtme me politikën e Jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës’’, tha Hoti.

I pyetur lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, Hoti u shpreh se, “asosacioni i komunave me shumicë serbe është temë e mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe marrëveshjen tjetër të vitit 2015 ku janë vendosur edhe norma kushtetuese që asosacioni, statuti i asosacionit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Me këtë është pajtuar edhe pala serbe. Nga ky këndvështrim, unë po deklaroj që asosacioni është temë e mbyllur, është obligim shtetëror i Kosovës i ratifikuar në Kuvend në 2013 dhe kërkoj nga ju që ta shihni në kontekst deklaratën që ka dhënë zyrtari, ambasadori i BE-së”.