11 tetori njihet si Dita Ndërkombëtare e Vajzave dhe sot personazhe të njohur kanë dhënë mesazhe të shumta frymëzuese. Rita Ora i është bashkuar kësaj dite për t’ju dhënë një mesazh të fuqishëm të gjitha vajzave shqiptare.

Këngëtarja me famë ndërkombëtare është ftuar nga Kryetarja e Kuvendit të Kosovës për të mbajtur një fjalim të shkurtër përmes një videoje për disa vajza të vogla që ishin të pranishme atje. Rita i ka inkurajuar të gjitha të ndjekin rrugën që ato dëshirojnë dhe të kenë besim të plotë tek vetja.

Në fund këngëtarja ka falenderuar familjen e saj që e ka mbështetur në çdo hap dhe ju ka bërë thirrje të gjitha vajzave të vazhdojnë të ecin përpara pa frikë.

“Përshëndetje! Jam Rita Ora. Pavarësisht se a vendos të bëhesh këngëtare, balerin, atlete, piktore, aktore apo shkencëtare, mjeke, ti duhet të zgjedhësh rrugën që do të ndjekësh. Kjo i ndihmon vajzat dhe gratë në Kosovë dhe në mbarë botën të besojnë tek vetja dhe të kuptojnë që i kanë aftësitë, njohuritë e duhura dhe fuqinë për të zgjedhur të ardhmen e tyre.

I jam shumë mirënjohëse familjes time dhe shoqërisë që më kanë mbështetur në përzgjedhjen time në karrierë deri këtu ku jam. Çdo ditë bëj sakrifica dhe planifikoj të vazhdoj kështu në mënyrë që të frymëzoj dhe motivoj jo vetëm veten por shpresoj dhe shumë vajza gjithandej. Vazhdoni përpara dhe sundoni botën në mënyrën tuaj. Dhe mbani mend ju keni fuqinë për ta bërë këtë”, shprehet këngëtarja në mesazhin e saj.