Terapitë dhe vaksinat do të mbërrijnë, por pas disa muajsh. Deri atëherë, politikanët duhet të punojnë mbi elementet bazë

Vdekjet e regjistruara nga COVID-19 në nivel global, e kanë kaluar shifrën 1 milion. Ndoshta 1 milion të tjerë kanë vdekur pa u regjistruar zyrtarisht. Që nga fillimi i pandemisë, nëntë muaj më parë, rastet javore të regjistruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë janë rritur shumë ngadalë dhe në shtatë ditët deri në datën 20 shtator, u arrit për herë të parë shifra 2 milionë, shkruan The Economist.

Virusi po depërton në vendet në zhvillim. India ka regjistruar mbi 90,000 raste në ditë. Disa vende europiane që menduan se e kishin kaluar më të keqen, po përjetojnë një valë të dytë. Në Amerikë, numri zyrtar i të vdekurve tejkaloi 200,000; numri total i rasteve në javë po rritet në 26 shtete amerikane.

Këto shifra përfaqësojnë shumë vuajtje. Afërsisht 1% e të mbijetuarve kanë pësuar dëmtime virale afatgjata si lodhje kronike dhe mushkëri të dëmtuara. Veçanërisht në vendet në zhvillim, mjerimi përkeqësohet nga varfëria dhe uria. Dimri verior do t’i detyrojë njerëzit të qëndrojnë brenda, ku sëmundja përhapet shumë më lehtë sesa në mjedis të hapur. Gripi sezonal mund të shtojë barrën e sistemeve shëndetësore.

Në këtë gjendje të zymtë, duhen mbajtur parasysh tri gjëra. Statistikat përmbajnë njëkohësisht lajme të mira dhe të këqija. Trajtimet dhe ilaçet po e bëjnë COVID-19 më pak vdekjeprurës, vaksinat dhe ilaçet e reja së shpejti do të përforcojnë efektet e tyre. Dhe shoqëritë sot zotërojnë mjetet për të kontrolluar sëmundjen. Megjithatë, pikërisht në bazat e shëndetit publik, shumë qeveri ende po dështojnë për të mbrojtur njerëzit. COVID-19 do të mbetet një kërcënim për muaj me radhë, ndoshta edhe vite. Qeveritë duhet të bëjnë më mirë se kaq.

Le të fillojmë me shifrat. Rritja e rasteve të diagnostikuara në Europë pasqyron realitetin, por efekti global është produkt i testimeve shtesë, që zbulon rastet, të cilat përndryshe do të ishin humbur. Modeli ynë sugjeron se numri i përgjithshëm i infeksioneve aktuale ka rënë ndjeshëm krahasuar me kulmin prej mbi 5 milionë rastesh në ditë në muajin maj. Testimi shtesë është një arsye pse shkalla e vdekshmërisë duket se po bie. Për më tepër, disa vende si India, me një moshë mesatare 28 vjeç, pësojnë më pak vdekje sepse virusi është më i lehtë për të rinjtë sesa për të moshuarit.

Trajtimi

Ulja e numrit të vdekjeve gjithashtu pasqyron përparimin mjekësor. Mjekët tani e kuptojnë që përveç mushkërive, organe të tjera si zemra dhe veshkat, janë në rrezik dhe i trajtojnë simptomat herët. Në pavijonet e kujdesit intensiv britanik, 90% e pacientëve merrnin frymë me respirator në fillim të pandemisë; në qershor vetëm 30%. Ilaçe si deksametazon, një steroid i lirë, ulin vdekjet në pacientët e sëmurë rëndë me 20-30%. Numri i vdekjeve në Europë është 90% më i ulët se në pranverë, megjithëse ky hendek do të ngushtohet ndërkohë që sëmundja përhapet sërish në grupe të cenueshme.

Në të ardhmen pritet edhe më shumë progres. Antitrupat monoklonalë, të cilët e çaktivizojnë virusin, mund të jenë në dispozicion deri në fund të vitit. Edhe pse janë të shtrenjta, ata pritet të jenë të dobishëm pasi dikush është infektuar ose për njerëzit në rrezik të lartë. Vaksinat do të mbërrijnë me siguri, ndoshta shumë shpejt. Duke qenë se ilaçe të ndryshme përdorin linja të ndryshme sulmi, përfitimet mund të jenë kumulative.

Pandemia do na shoqërojë edhe në 2021

Megjithatë, edhe në skenarin më pozitiv, pandemia do të mbetet një pjesë e jetës së përditshme deri në vitin 2021. Edhe nëse gjendet një vaksinë, askush nuk pret që ajo të jetë 100% efektive. Mbrojtja mund të jetë e përkohshme ose e dobët tek të moshuarit, sistemet imunitare të të cilëve janë më pak reagues. Prodhimi dhe administrimi i miliarda dozave do të zgjasë gjatë pjesës më të madhe të vitit të ardhshëm.

Për vaksinat e para mund të jenë të nevojshme dy injeksione dhe “zinxhirë të ftohtë” kompleksë për t’u mbajtur të freskët. Xhami mjekësor mund të mos jetë i mjaftueshëm. Mund të ketë përleshje se kush do t’i marrë furnizimet e para të dozave, duke shkaktuar infeksione midis atyre që nuk mund të arrijnë të parët në radhët e vaksinimit. Sondazhet në shumë vende tregojnë se një e katërta e të rriturve (përfshirë gjysmën e rusëve) do ta refuzonin vaksinimin – një arsye tjetër pse sëmundja mund të vazhdojë.

Kështu, në një të ardhme të parashikueshme, linja e parë e mbrojtjes kundër COVID-19, do të mbetet testimi dhe gjurmimi, distancimi social dhe komunikimi i qartë i qeverisë. Nuk ka asnjë mister mbi faktin se çfarë përfshin ky i fundit. E megjithatë, vende si Amerika, Britania, Izraeli dhe Spanja, vazhdojnë ta bëjnë këtë gabim katastrofik.

Dilema e karantinës

Një problem është dëshira për të shmangur zgjedhjen midis karantinës për të mbajtur njerëzit gjallë dhe hapjes në mënyrë që jeta të vazhdojë. E djathta lavdëron Suedinë për qasjen e butë ndaj virusit, ndërsa i jep përparësi ekonomisë dhe lirisë. Por Suedia ka një shkallë vdekshmërie 58.1 për 100,000 banorë dhe PBB-ja e saj ka rënë me 8.3% vetëm në tremujorin e dytë, më shumë sesa Danimarka, Finlanda dhe Norvegjia.

E majta lavdëron Zelandën e Re, e cila mori masa të rrepta për të shpëtuar jetë. Ajo ka pësuar vetëm 0.5 vdekje për 100,000 banorë, por në tremujorin e dytë, ekonomia u tkurr me 12.2%. Nga ana tjetër, Tajvani mbeti më i hapur, por ka pasur 0.03 vdekje për 100,000 banorë dhe një rënie prej 1.4% të PBB-së.

Bllokimet totale si ai i fundit në Izrael janë një shenjë që politika ka dështuar. Ato janë të kushtueshme dhe të paqëndrueshme. Vende si Gjermania, Koreja e Jugut dhe Tajvani kanë përdorur testime të imtësishme dhe gjurmime për të zbuluar vendndodhje të caktuara, që kanë përhapur virusin dhe për të ngadalësuar përhapjen, kanë përdorur karantinat. Për shembull, Gjermania identifikoi thertoret e mishit; Koreja e Jugut përmbajti përhapjen e virusit në një bar dhe disa kisha. Nëse testimi është i ngadaltë, si në Francë, ai do të dështojë. Nëse nuk besohet në gjurmimin e kontakteve, si në Izrael, ku puna mbeti në dorë të shërbimeve të inteligjencës, njerëzit do t’u shmangen përpjekjeve për zbulimin e rasteve.

Qeveritë duhet të identifikojnë zgjedhjet që kanë më shumë domethënie ekonomike dhe sociale. Maskat janë të lira dhe të përshtatshme dhe ato funksionojnë. Hapja e shkollave duhet të jetë përparësi, siç ka qenë në Danimarkë dhe Gjermani; hapja e vendeve të zhurmshme si baret, nuk duhet të jetë prioritet.

Qeveritë, si ajo e Britanisë, që nxjerrin pa pushim një sërë urdhrash të ndryshme, të cilat thyhen pa u ndëshkuar nga zyrtarët politikë, do të zbulojnë se pajtueshmëria e qytetarëve me rregullat, është e ulët. Ato, si Kolumbia Britanike, që vendosin parime dhe ftojnë individë, shkolla dhe vende pune të hartojnë plane për realizimin e tyre, do të jenë në gjendje të mbështesin përpjekjet në muajt në vazhdim.

Kur goditi COVID-19, qeveritë u kapën në befasi dhe shtypën frenën e urgjencës. Sot ato nuk kanë asnjë justifikim të tillë. Duke u nxituar për t’iu rikthyer normalitetit, Spanja uli kujdesin dhe vëmendjen. Testimi i Britanisë nuk po funksionon, megjithëse rastet kanë qenë në rritje që nga korriku. Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, dikur organi më i respektuar i shëndetit publik në botë, janë diskredituar nga gabimet, lidershipi i dobët dhe denigrimi presidencial. Udhëheqësit e Izraelit ranë viktima të konflikteve dhe sulmeve. Pandemia nuk ka mbaruar aspak. Ajo do të zbutet, por qeveritë duhet të marrin kontrollin.