Prej 6 tetorit kryeqyteti francez po përballet me kufizime më të rrepta si pasojë e koronavirusit. Autoritetet kanë urdhëruar mbylljen plotësisht të bareve ndërsa restorantet, veprimtaria kryesore e të cilëve është të ofrojnë ushqim, tashmë po zbatojnë protokolle më të rrepta sanitare për të vazhduar aktivitetin. Situata ka krijuar pasiguri tek këto biznese shumë prej të cilave po përballen me një numër gjithnjë e më të ulët klientësh e me të ardhura gjithnjë e më të ulta. Në një lokal tipik në Paris, zakonisht klientët e parë vinin që në mëngjes për një kafe dhe briosh. Por prej së martës së 6 tetorit ai i ka mbyllur dyert, pasi baret dhe restorantet e kryeqytetit francez po përballen me kufizime më të rrepta si pasojë e koronavirusit.
Autoritetet kanë urdhëruar mbylljen plotësisht të bareve ndërsa restorantet, veprimtaria kryesore e të cilëve është të ofrojnë ushqim, tashmë po zbatojnë protokolle më të rrepta sanitare për të vazhduar aktivitetin. Aline Loreille, menaxhere e bar-restorant “Ella” thotë se tashmë klientëve do t’u shërbehet vetëm për të ngrenë: “Kemi punësuar edhe një tjetër person kështu që restoranti do të funksionojë normalisht. Ne do t’u shërbejmë klientëve tanë që ulen jashtë kafe… jo pije, vetëm kafe”.
Tashmë klientëve u kërkohet t’i mbajnë maskat derisa t’u mbërrijnë pjatat në tavolinë. Nga ana tjetër personelit të restorantit i kërkohet të ruajë kontaktet e klientëve për gjurmimin e tyre. Kufizimet e reja nënkuptojnë riorganizimin e mënyrës se si restorantet kanë funksionuar deri më tani. “Kjo është e trishtueshme kur sheh se çfarë po ndodh me transportin publik, njerëzit që rrinë ngjeshur së bashku në metro e autobusë. Mendoj se është budallallëk dhe një problem politik. Qeveria po manipulon vazhdimisht njerëzit të majtë, të djathtë si dhe të qendrës për interesa ekonomike“, thotë Elizabeth (72 vjeç).
Ka banorë që mendojnë se kufizimet janë të domosdoshme. “Nëpër bare ka nje mungesë respekti për të tjerët. E them këtë sepse e kam parë pasi jetoj para një bari dhe në mesnate është thjesht kaos. Ata janë të gjithë njëri mbi tjetrin, është e tmerrshme, përshëndeten duke u puthur dhe gati pinë nga e njëjta gotë. Kemi vërtet nevojë që njerëzit t’i marrin gjërat më seriozisht”, thotë pensionistja Nicole Marchand. Vetëm pak kilometra larg Parisit, në periferi të Joinville-le Pont, zbatohen të njëjtat rregulla. Në kohë dreke lokali “Le Mocca”, aty ku banorët e zonës parapëlqenin të qëndronin për të pirë kafen e mëngjesit, ishte bosh. Pronari i tij thotë se kufizimet e reja do t’i dëmtojnë edhe më tej të ardhurat tashmë 30 për qind më të ulta.
“Është shumë e vështirë, tejet e vështirë sepse po humbasim shumë të ardhura. Me kufizimet shtesë nuk do të kemi mundësi të shërbejmë më në lokal, është vërtet një një situatë katastrofike”, thotë pronari i bar-restorant “Le Mocca-s” Yacine Hassani. Që një qytet të vendoset në gjendje alarmi maksimal, sikurse Parisi, shkalla e incidencës duhet t’i kalojë të 100 infeksionet për 100 mijë banorë të moshuar ose 250 për 100 mijë banorë pjesë e popullatës së përgjithshme, ndërsa të paktën 30 për qind e shtretërve të kujdesit intensiv të jenë të zëna nga pacientët me koronavirus./VOA/