Demokratët votojnë sot në Qarkun e Tiranës 140 emrat në listat e PD-së. Emrat e propozuar për qarkun e Tiranës kanë dalë nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve. Anëtarësia e PD në Tiranë do të votojë sot me votën kontestuese për emrin që nuk e do në listën finale të kandidatëve në zgjedhje. Në listë mungojnë emrat e drejtuesve të partisë pasi futen në lista pa kaluar filtrat e anëtarësisë. Në listën për Tiranën mungon emri i Lulzim Bashës, Sali Berishës apo Bujar Nishanit. Emri i Sali Berishës nuk do të kalojë në votim, ai do të përfshihet tek kuota e 20 % të listës së kandidatëve që do të përzgjidhen nga Kryesia e PDSH-së, si personalitet politik me kontribut të gjatë në parti, ashtu siç kalon automatikisht edhe emri i Lulzim Bashës si kryetar i PD-së.

Surpriza e parë erdhi nga emri i Flamur Nokës i cili iku nga Kukësi dhe po kandidon në Tiranë. Disa nga emrat e përfshirë janë dhe të botës së sportit dhe botës së artit. Disa nga emrat më pikantë janë gazetari Basir Çollaku, aktori Julian Deda apo regjisori Robert Budina, nga fusha e sportit Andi Lila, Gentian Muça, Artan Pogoni dhe Klodiana Shala. Gjithashtu në listë janë edhe ish drejtues policie si Erzen Breçani, Ahmet Prençi, Emri Vata.
Ashtu siç ishte thënë Agron Shehaj ikën nga Vlora dhe kandidon në Tiranë si dhe ka një rikthim të ish deputetit të PD-së, Aleksandër Biberaj. Në listë edhe Zak Topuzi nga Shoqata e Turizmit, Gazmend Dibra ish Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, mjeku Halim Kosova dhe Ylber Vata, Mjek Kirurg Shefqet Ndroqi si dhe ish kryebashkiakët e Vorës Fiqiri Ismaili dhe ai i Kamzës Xhelal Mziu.