Përfaqësuesja e OBSH në Shqipëri, Bettina Menne deklaroi në një nga mediet se mbajtja e maskës edhe në rrugë do të frenojë përhapjen e Covid-19.

“Ne jemi të lumtur të shohim që Qeveria miratoi seriozisht diçka për të cilën OBSH ka kërkuar që prej më shumë se 5 muajsh: përdorimin e maskave në hapësira publike. Virusi ka potencialin të bëjë dëme të mëdha nëse nuk ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ndaluar përhapjen e tij. Maska nuk ka asnjë pasojë negative”, tha Menne.

Sipas saj, përdorimi i maskës, do të evitojë një tjetër mbyllje të vendit.

“Njerëzit e dinë që duhet të përdoret kudo dhe gjithmonë. Ky është një hap i rëndësishëm dhe me shumë mundësi do të na parandalojë mbylljen. Situata është e ndryshme dhe sigurisht po mbahet nën kontroll dhe po shihet se cilat çështje do të zbatohen në Europë dhe Ballkan. Por dihet që mbyllja nuk i shërbeu asnjërit. Bllokimet e pjesshme po zbatohen pothuajse kudo në Europë, ku situata ka përmbushur nivele kritike. Ne nuk do të ishim në favor që kjo të ndodhte në Shqipëri. Ne jemi të vetëdijshëm për lodhjen e publikut për të ndjekur masat parandaluese”, u shpreh përfaqësuesja e OBSH-së.

“Është e qartë se ka një rritje të numrave. Shqipëria po kalon një situatë shumë të ngjashme me pjesën tjetër të Europës, me një popullsi të infektuar 75 për 100.000 persona në javë. Shumica dërrmuese e popullsisë mbetet e rrezikuar”, tha ndër të tjera Menne.