Saimon Hatia nga Roskoveci është një tjetër dëshmi reale e zhvillimit dhe rritjes së sipërmarrjeve bujqësore në vend, me mbështetjen financiare të qeverisë shqiptare, i cili grumbullon prodhimet e një zinxhiri të gjatë fermerësh, për t’i eksportuar me shumicë drejt Italisë.

Pas financimit në vitin 2018 nga Skema Kombëtare e Qeverisë për ngritjen e Pikës së Grumbullimit, si dhe pas financimit për ndërtimin e 1 hektar serra, Saimoni fiton sërish mbështetjen e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, duke plotësuar kushtet e financimit nga programi IPARD, për ngritjen e një objekti me standardet e BE për ambalazhimin e prodhimeve dhe montimin e një dhome të re frigoriferike.
Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca shprehet se “kjo pikë është mbështetur nga Skema Kombëtare e vitit 2018 për ngritjen e komplet strukturës bazë, ndërsa po vijon të zgjerojë strukturën e kompleksit me 1270 m2, me një investim prej 33 milionë lekë që sërish është mbështetur nga programi IPARD”. Përfaqësuesi i kompanisë tregon se “kapaciteti i prodhimit bujqësor nga serrat e tij arrin në 100 kv për dynym. Por thotë ai, “ne mbledhim edhe prodhimin e fermerëve të zonës, ndërsa jemi në proces certifikimi me global G.A.P që do të thotë eksport i sigurt në çdo vend të botës”.

Ai thotë se aktualisht janë dy kamionë me prodhime bujqësore që do të eksportohen njëri në Itali dhe tjetri në Serbi. “Me financim nga programi IPARD, ne jemi mbështetur edhe për makinerinë e paketimit dhe në këto 4 vitet e fundit kemi pasur rritje të ndjeshme të eksporteve që arrijnë në 200 kamionë eksporte në vit”- tha ai.
“Hatia Group” është mbështetur me financim nga programet që zbaton qeveria në mbështetje të bujqësisë që pika e prodhimit, serra, në pikën e grumbullimit, linjën e paketimit dhe vijon mbështetja hap pas hapi në zhvillimin e tij biznesi të suksesshëm”, – tha Krifca.