Falë bujarisë së SHBA dhe nëpërmjet NATO-s, Shqipëria pajiset me 60 respiratorë të rinj që i shtohen fuqisë së instaluar për të luftuar COVID-19 në Spitalin Infektiv, atë Shefqet Ndroqi dhe në spitalet e reja COVID 3 dhe 4 deri në daljen nga ky dimër.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Ramat tha se “edhe pse sot kemi vetëm 22 pacientë në terapi intensive, pra nëse do të bënim një përllogaritje më pak se 10% të kapaciteteve tona të zëna në total, nuk e kemi ndaluar në asnjë moment punën për të rritur investimet qoftë nga buxheti i shtetit, qoftë investimet e huaj, qoftë për të parë çdo fond të nevojshëm në funksion të fuqizimit të strukturave tona të kujdesit spitalor dhe parësor”.

“Kemi siguruar furnizimin me oksigjen, me terapi mjekimi, me monitor multiperimetrik për të qenë gati për të përballuar situatën e vjeshtë-dimrit ku sipas projekteve të ekspertëve tanë do të kemi edhe një përballje tjetër sepse do të kemi edhe virusin e gripit, edhe covid dhe sigurisht që projeksioni i parashikuar vlerësohet që do të ketë më shumë numër të të infektuarve krahasuar me rastet në spitale”, u shpreh ajo.

Sipas Manastirliut, deri në fund të vitit, sistemit tonë shëndetësor, urgjencës kombëtare do t’i shtohen edhe 36 autoambulanca për t’iu përgjigjur në kohë dhe cilësi çdo urgjence dhe pa lënë pas edhe shërbimet e patologjive të tjera”.

“Infrastruktura dhe burimet njerëzore që do të shërbejnë në dy spitalet e tjera të Covid, pra Covid 3 dhe 4 është gati. Kemi një plan përgjigje edhe me burimet njerëzore por dihet që asnjëherë këto nuk do të jenë të mjaftueshme nëse ne do ta lëmë të lirë këtë epidemi, nëse nuk do të zbatojmë masat të cilat tashmë janë vendosur në rregullat tona të përditshmërisë qoftë vendosja e maskës, qoftë distanca sociale, qoftë masat e higjienës”, deklaroi Manastirliu.

“Padyshim që kjo kohë duhet që të na bëjë më shumë të reflektojmë dhe të fokusohemi tek pikat tona më të forta që janë solidariteti, bashkëpunimi dhe fakti që sot jemi këtu e tregon edhe këtë aspekt të kësaj lufte. Lufta me këtë virus është padyshim sot më shumë se kurrë frontale. Të gjithë vendet sot janë më shumë se kurrë të bashkuara madje me shumë sesa prej fillimit të epidemisë ku qasja ishte individuale. Sot është kuptuar që të bërit të gjithë një front kundër këtij virusi është mënyra e duhur për t’u përballur me këtë pandemi. Covid ka vendosur për fat të keq të jetë normaliteti ynë i ri, ka vendosur të qëndrojë me ne edhe për disa kohë kështu që duhet të përballemi të gjithë së bashku me solidaritetin e nevojshëm duke mos lënë mënjanë zbatimin e rregullave të thjeshta, rregulla që na bëjnë të përballemi edhe me risqe më të vogla se do të përballeshim nëse nuk do t’i zbatonim ato’’, tha ministrja.