Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informon se në listën e subjekteve të rindërtimit të autorizuara për përjashtimin nga TVSH-ja, përveç ndërtuesve/kontraktorëve, subjekte të rindërtimit, do të përfshihen edhe të gjithë nënkontraktorët. Për t’u pajisur me autorizim, subjektet furnizuese dhe nënkontraktorët duhet të bëjnë aplikim pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatime.

Në aplikim duhet të përfshihet kërkesa me shkrim, së cilës i bashkëngjitet një fotokopje e certifikatës së NIPT/NUIS-it; kërkesa për marrjen e autorizimit duhet të shoqërohet me kontratën e lidhur midis furnizuesit dhe ndërtuesit/kontraktor kryesor, nënkontraktorit dhe ndërtuesit /kontraktor kryesor. Në kontratë duhet të jetë përcaktuar qartë mallrat dhe shërbimet që do të ofrojë furnizuesi dhe nënkontraktori për ndërtuesin /kontraktor kryesor.

Po ashtu duhet përfshirë preventivi i mallrave dhe punimeve që do të kryejë shoqëria furnizuese, dhe shoqëria nënkontraktore për ndërtuesin kryesor. Preventivi duhet të jetë ndarë në zëra, në sasi dhe në vlerë. Në aplikim duhet të jetë pjesë edhe një kopje e autorizimit të lëshuar nga DPT ndaj kompanisë ndërtuese/kontraktorit kryesor. Verifikimi i çmimeve të aplikuara do të jetë objekt verifikimi nga strukturat funksionale të Administratës Tatimore.

Gjithashtu nëse furnizuesit/nënkontraktorët zgjedhin të mos bëjnë kërkesë për t’u pajisur me autorizim për përjashtim nga TVSH-ja, ose kanë kryer furnizime mallrash ose shёrbimesh për periudhën që nuk janë pajisur me autorizim, nuk e gëzojnë të drejtën e zbritjes së TVSH-së mbi këto furnizime. Në këto raste, shoqëritë furnizuese për mallrat dhe shërbimet e ofruara, do të kryejnë rregullimin e TVSH-së së zbritshme, për të gjitha furnizimet e ofruara shoqërive ndërtuese të autorizuara.

Autorizimi i lëshuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve nuk ka fuqi prapavepruese dhe nuk i shtrin efektet mbi furnizimet e kryera para pajisjes me autorizim të subjektit përfitues, por skema e përjashtimit të TVSH-së zbatohet vetëm për furnizimet pasuese. Për të gjitha furnizimet e kryera para pajisjes me autorizim, të zbatueshme janë parashikimet si më sipër./