Nga Ylli Pata
Në vigjilje të guerriljes para Parlamentit, revolucioni i mbetur i flamingove po celebron në mediat aleatë të ngushtë, jubileun e 100 ditëve.
Një gur kilometrik realisht i rëndësishëm për një lëvizje, ku përveç festës së konsistencës, ja vlen edhe diskutimi e reflektimi për një zhvillim politik që e ka kapluar Shqipërinë e 2026-s.
Në entuziazmin e 100 ditëve, njerëzit e revolucionit i kanë shprehjet të gatshme; rrëzuam mitin, vramë frikën dhe kthyem shpresën.
Ka shumë gjasa që të vijojnë furçat vetëlavdëruesve për të rritur pak vetëvlerësimin e një fenomeni, i cili u nis për të qenë revolucion epokal. Të ndryshojë sistemin.
Sistem, që në Shqipërinë aktuale nuk është më rrëzimi i komunizmit, regjimit një partiak të Partisë së Punës, por është një përmbysje e statusquo-së politike të postkomunizmit.
Një referencë që është diskutuar prej vitesh, megjithëse nuk e ka pasur vëmendjen e duhur për një debat në mënyrë të shteruar. Megjithatë thelbi është pak a shumë i qartë; të ndryshojmë statusquonë e vjetër politike, të krijomë një sistem të ri të kontraktimit publik të burimeve natyrore, të ringremë një shtet social që klasa politike postkomunizte e shkatërroi edhe në konvept.
“Individi i fortë e shteti i dobët”, ishte sllogani i Sali Berishësn ë 1992-shin, ku gëluan çakallët e kapitalizmit pa pyetur se në pyll ka edhe gjallesa më të buta e të pambrojtura.
Ka një dialog interesant në “Qortimet e Vjeshtës”, ku i ati i Kujtim Stefit(që luan Qemal Stafën), i cili ishte një republikano filoqemalist, i vjen keq të birin se po lodhet për të lexuar Volterin, Rusonë, Roberspierin. I biri ja kthen: Më shumë baba, më shumë: Marksin, Engelsin, Leninin e Stalinin!
Koncept që më pas e konkretizon me esenë e famshme që atëherë quhej hartim: “Një botë re po shembet, një e re po ngrihet gërmadhash”.
Ky ishte revolucioni, përmbysja e një sistemi klientelist klasash të merimangosura me një realitet që kërkon shkundje, heqje merimangash, patrim, stukim, lyerje, e ndonjë rinovim të interiorit. Këtë “revolucion” çdo familje shqiptare e bën në çdo sezon. Nuk është gjë e panjohur.
Mirëpo revulucionarët nuk vijnë me një ide përmbysëse, por vetëm me atavizmin e vjetër të qeverisë teknike, që në Shqipëri njihet si supa e vjetër e Sali Berishës e 2017-s, 2019-s e me radhë.










