Analisti Mustafa Nano ishte i ftuar ditën e sotme në emisionin “Kjo Javë”, ku ka folur edhe për situatën politike në vend. Ai është shprehur se presidenti Meta do të donte të ishte në garë për zgjedhjet dhe të ndihmonte opozitën, por nuk e ka këtë mundësi dhe bën sulme politike nga presidenca.
“Ilir Meta si president përfaqëson unitetin e popullit. Meta nuk ka qenë asnjë ditë përfaqësues i popullit. Nëse do të luajë politikisht, duhet ta lërë presidencën. Ilir Meta, presidenti më i keq që kemi pasur ndonjëherë. Nuk mendoj se Meta është politikani më i keq që kemi, por si president ka qenë më i keqi. Meta e sheh opozitën të dobët dhe mendon se kjo opozitë nuk fiton dot, e prandaj do të donte të ishte vetë në garë. Ilir Meta vuan faktin se nuk është aty ku duhet të ishte. Nuk është çudi që Meta të japë dorëheqjen”, deklaroi Nano. Nano u shpreh se nuk është dakord me tezën se Edi Rama ka kapur reformën në drejtësi, pasi SPAK mund të ndëshkojë njerëz edhe pranë kryeministrit.
“Unë kam pritur gjithmonë që të ketë përmirësim të situatës politike, por nuk ka ndodhur kjo. Ne kemi në klasën politike të njëjtët njerëz që janë që në vitet 1990. Kemi keqësim të situatës. Rotacioni është një mundësi, por nëse kemi prapë këtë qeveri, nuk shoh ndonjë dramë. Ramës i ka mbetur diçka, por opozita braktisi çdo gjë. Kam idenë se SPAK do ketë ndërhyrje spektakolare. Reforma në drejtësi nuk është i kontrolluar nga Edi Rama. Edhe nëse vjen opozita në pushtet, nuk ka asgjë të re. Duhet zgjidhur problemi i zgjedhjeve”, tha Nano.