“Anëtarët e PS janë pa dyshim struktura që merr vendimet më të rëndësishme dhe konsultimi i anëtarësisë së partisë lidhur me ekipin që do të garojë në zgjedhjet e 25 prillit është një prej qëllimeve të këtij procesi”, u shpreh sot Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla duke shpjeguar platformën e re online në një konferencë për mediet me kryeministrin Edi Rama. Balla tha se “prej më shumë se një viti ne kemi punuar për të krijuar një platformë dixhitale. Pjesa e prezantuar sot është vetëm një pjesë e vogël e asaj që PS ka mundësuar”.

“Çdo anëtar i PS që tashmë i ka të gjitha të dhënat të hedhura në platformën dixhitale të sekretuar do të marrë përmes shërbimit postar kredencialet për të aksesuar platformën “anetaresia.ps.al”. Anëtari merr kodin e përdoruesit dhe fjalëkalimin dhe faqja e parë ku ai akseson është lista e kandidatëve të qarkut ku ai bën pjesë të renditur alfabetikisht ku secili prej tyre do të vlerësohet lidhur me performancën, theksoi Balla. “Dua të garantoj çdo aëtar të Partisë Socialiste që ky është një proces me integritet të plotë, ku vlerësimi i tyre është shumë konfidencial dhe është shumë e rëndësishme që gjithkush të marrë pjesë”, u shpreh Balla.

“Kjo është një risi që përshtatet në fakt edhe me nevojat që solli pandemia, pra është nevojë në kushtet kur nuk mund të mblidhemi në takime të mëdha, nuk mund të zhvillojmë procese tradicionale votimi që mund të transformohen pastaj edhe në procese qesharake sikundër keni parë në ndonjë forcë tjetër politike ku ndodhin elemente të padëgjuar më parë që voton ata që nuk do. Unë di që historikisht duhet të votosh atë që do, atë që beson. Qesharakja thellohet kur për të shpëtuar njërin apo tjetrin, duhet të rrisësh fiktivisht numrin e pjesëmarrësve”, theksoi Balla. “Këto në botën dixhitale nuk mund të ekzistojnë më. Ky është një proces që po e bëjmë për herë të parë. Janë të pakta forcat politike në Europë që kanë një platformë të tillë dixhitale ku anëtarësia e partisë në këtë fazë do konsultohet për ekipin, do ketë një fazë ku do konsultohet për çështje programore e plot gjëra të tjera”, vuri në dukje ai.

Çdo anëtar i PS ka kohë 50-ditore dhe në përfundim të dhënat do përpunohen duke ruajtur konfidencialitetin, pasi siç u shpreh Balla, “ne na duhet realisht se çfarë mendon anëtarësia e PS-së”. Balla i bëri thirrje anëtarësisë ta vlerësojë platformën dhe të bëhet pjesë e saj.