Nga Endri Kajsiu/

Nuk është pandemia e koronavirusit që e ka detyruar Lulzim Bashën të mbyllet në seli dhe të organizojë prej aty, konferencat e gjata të shtypit, ku nga mbrapa maskës lëshohet në akuza për qeverinë e Edi Ramës, që fillojnë nga pandemia dhe përfundojnë tek ekonomia.
Burime të besueshme nga brenda selisë së Partisë Demokratike, zbulojnë se shkak për mbylljen e kryetarit të PD brenda selisë, dhe prapa tavolinës së vogël ku ulet vetë dhe ku ul dhe gazetarët, është dështimi i versionit të parë të strategjisë së komunikimit, që ishte dalja nëpër qytet dhe takimi me qytetarë. Lulzim Basha shënoi një seri të njëpasnjëshme dështimesh në atë strategji, sipas ekspertëve të komunikimit të PD-së, dhe për të minimizuar dëmet, u mor vendimi që kryetari i PD të futej brenda. Gjithçka nisi me daljet e kryetarit të PD rrugëve të qytetit, ku gjoja rastësisht takonte një grua të moshuar (mitingashe e flaktë e PD-së), të cilës i mbante në duar qeskën me një kile domate. Ishte shumë e stisur kjo, sipas ekspertëve të pajtuar nga Basha, sidomos po të mendosh që kryetari i PD banon në një vilë të kushtueshme jashtë Tiranës, lëviz me një makinë të kushtueshme, dhe zor se mund të ndeshë rastësisht në tregun e fruta perimeve me një zonjë që blen një kg domate. Pas videos ku Basha, live në Facebook, përpiqej të fshihte me kokë një qytetar të zakonshëm, estrada vazhdoi me Kryetarin e Partisë Demokratike, që takonte qytetarë dhe i pyeste për taksat. Edhe këtu ishte një dështim, madje pa dalë as nga dera e SHQUP-it. U bë virale në rrjet video, ku Basha pyeste një taksist: Sa të kanë rënduar taksat e qeverisë, dhe ai i përgjigjej: Në fakt, taksat nuk na rëndojnë sepse na janë zeruar.

Pas këtyre dështimeve dhe duke parë që imazhi i kryetarit të opozitës që qan hallet e popullit nuk po ngjiste – sidomos pas daljes edhe të fakteve mbi shtimin e 4 vilave gjatë këtij viti – më në fund u mor vendimi: Lulzim Basha duhej mbyllur brenda në seli, dhe prej aty të sulmonte qeverinë. Por, nëse ekspertët e komunikimit që paguan Basha, do ta kishin ditur se numri i gafave në konferencat prapa tavolinës së vogël do të ishte shumë më i lartë se sa ai i shëtitjeve nëpër qytet, me siguri do të kishin vazhduar me strategjinë e parë. Të paktën për të minimizuar dëmet. Basha ka qenë pothuaj përditë personazh në instagramin e Kryeministrit Rama, pikërisht për shkak të gafave aritmetikore dhe jo vetëm, një sëmundje e cila dalëngadalë u përhap edhe tek çdo eksponent demokrat që ka dalë publikisht gjatë kësaj kohe. Po nga burimet brenda selisë, mësohet se ekspertët ende nuk e konsiderojnë kryetarin e PD një rast pa shpresë dhe janë duke menduar për strategjinë e radhës, që t’ia përshtasin tipologjisë së politikanit që është Lulzim Basha.