Bashkia Kolonjë po nxit fermerët të rrisin investimet në kultivimin e bimëve mjekësore, duke i mbështetur ata në dhënien me qira të tokave që janë në pronësi shtetërore, për t’i mbjellë me bimët mjekësore. Në këtë mënyrë fermerët mund të sigurojnë të ardhura, punësim dhe eksporte në tregjet e huaja. Grumbullimi i bimëve të egra nuk mund të përballojë kërkesat e tregut ndaj po nxitet kultivimi i tyre.

Nënkryetarja e bashkisë Kolonjë, Eljona Mydini bën të ditur se Bashkia e Kolonjës, në bashkëpunim me RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim po stimulojnë investimet për kultivimin e bimëve medicinale dhe aromatike.

“Nisur nga potencialet që ka bashkia jonë, ne parashikojmë që të paktën 200 ha tokë të mbillen me bimë medicinale edhe në 2-3 vitet që vijnë dhe kjo do të ketë impakt poziv në shumë drejtime për qindra familje, të cilat aktualisht kanë të ardhura vetëm nga mbledhja e bimëve. Diversifikimi i të ardhurave, do t’i vetëpunësojë dhe do të punësojnë të tjerë” – thotë Mydini. Ajo shprehet se sektori i bimëve medicinale dhe aromatike është një potencial i madh ekonomik për punësimin apo vetëpunësimin e banorëve të zonës. Kolonja ka një traditë të hershme në mbledhjen e bimëve në gjendje të egër ndërsa në kultivimin e bimëve medicinale eksperienca mungon.

Me inkurajimin dhe mbështetjen e RisiAlbania, Bashkia Kolonjë ka filluar të ndjekë një sërë aktivitetesh që synojnë të nxisin investimet për kultivimin e bimëve medicinale dhe aromatike.

Sipas Mydinit, mbi 50 fermerë kanë kontaktuar me eksportuesit e interesuar për kultivimin e bimëve medicinale dhe aromatike, për bashkëpunime të reja në këtë fushë. Ndërsa në këto aktivitete ka asistuar me konsulencën e ekspertëve edhe organizata “Njerëz dhe Ide”, e cila është kontraktuar nga RisiAlbania.

Bashkia Kolonjë është një ndër bashkitë e para që me mbështetjen e RisiAlbania ka filluar një model të ri për promovimin e investimeve në fushën e bimëve mjekësore dhe aromatike. Fillimisht Bashkia me mbështetjen e Këshillit Bashkiak ka ngritur një ekip të përbërë prej tre vetash të dedikuar për të promovuar dhe lehtësuar investimet në fushën e bimëve medicinale dhe aromatike. Së dyti stafi kyç pranë Bashkisë, drejtoria që mbulon bujqësinë dhe zhvillimin rural dhe përfaqësuesi i drejtorisë së Bujqësisë nga Ministria e Bujqësisë janë trajnuar nga ekspertë të sektorit të bimëve medicinale.