Pa asnjë mik, por vetëm me një klik në faqen zyrtare të Departamentit të Administratës Publike, www.dap.gov.al, Migena konkurroi dhe fitoi me meritë vendin e punës si juriste në Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut. Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, përmes faqes zyrtare të DAP, 740 të rinj deri në 30 vjeç janë rekrutuar në shërbimin civil brenda tre viteve të fundit, ndërsa përmes platformës së ekselentëve http://www.xn--puntmbar-v1abe.al/, 602 studentë kanë fituar vendin e punës, 491 prej të cilëve me pozicione në shërbimin civil.

“Të dyja këto platforma u kanë dhënë mundësi qindra të rinjve që të marrin eksperiencën më të mirë nga profesionistët e fushave të tyre, por edhe të rienergjizojnë me talentin e tyre, sektorin e administratës publike, e cila po luan një rol thelbësor në sfidën tonë për ta çuar Shqipërinë në një tjetër nivel”, tha Rama. Migena u shpreh se “fillimisht ishte pak skeptike nëse do ta fitonte apo jo vendin e punës ku kishte aplikuar”. “Siç mendojmë ne shqiptarët që vendet e punës në administratën publike janë me mik. Mua në fakt më ka rezultuar komplet e kundërta”, tha ajo. Përmes testeve kualifikuese që zhvilloi pranë Departamentit të Administratës Publike, Migena rezultoi fituese.

“Kam mbaruar studimet në Fakultetin e Drejtësisë me rezultate të larta, aktualisht jam e punësuar pranë Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut në pozicionin e juristes. Pas disa eksperiencave në sektorin provat mendova që të bëhem pjesë e administratës publike. Fillimisht kam nisur aplikimet në faqen e DAP, duke plotësuar fillimisht profilin me dokumentet e kërkuara, më pas aplikova në shpalljet që mua mu dukën interesante dhe më të përafërta në profilin tim. Më në fund arrita të bëhem pjesë e administratës publike. Ka gjithmonë vend për ata që kanë besim në veten e tyre”, tha Migena. Në vitet 2017-2020 janë 1540 rekrutime në shërbimin civil, 740 prej tyre të grupmoshës 23-30 vjeç.