Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kashar në Tiranë, ku 2 familje të tjera banesat e të cilëve u dëmtuan rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, u futën në banesat e reja të ndërtuara me kushtet më të mira. Bashkë me Ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe kryetarin e bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, Kryeministri Edi Rama vizitoi sot banesat e reja në Kodër Kashar, ndërsa theksoi se “puna vijon çdo ditë pa pushim për të gjithë ata që u prekën nga tërmeti i nëntorit”.

“Rindërtimi vazhdon. Në Kashar, Tiranë, në shtëpitë e reja të Myrteza Hykës dhe Selman Alukut. Puna vijon çdo ditë pa pushim për të gjithë ata që u prekën nga tërmeti i nëntorit. Qentë le të lehin karvani do të ecë më shpejt përpara”, tha Rama. Rama tha se “vetëm ata që nuk kanë bërë punë në jetë i dinë gjërat se bëhen shpejt”. Ndërkohë ministri Ahmetaj informoi se “për 7-8 ditë do të fillojë ndërtimi i pallateve në Durrës dhe në vijimësi në gjithë bashkitë e tjera”.

“Ndërkohë te “5 Maji” janë dy godina mes të tjerave, që janë publike. Një godinë e përbashkët e të gjithë institucioneve të tatimeve dhe doganave dhe tjetra qendër që do të strehojë të gjitha start up-et e teknologjisë”, tha Ahmetaj. Ndërsa kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj tha se “në të gjithë zonën këtu do të kemi 120 shtëpi të reja”. “Ky ishte loti i parë me 54 dhe do të vazhdojmë pastaj me lotin e dytë që sapo kaluam në Këshill Bashkiak,” u shpreh kryebashkiaku Veliaj.