Procesi i Rindërtimit në bashkinë Durrës vazhdon me ritme të shpejta dhe brenda këtij viti 521 nxënës, 47 fëmijë do nisin mësimin me kushte bashkëkohore në shkollën 9-vjeçare “Vëllezërit Haradinaj” dhe kopshtin me të njëjtin emër.

Lajmi është bërë i ditur nga bashkia Durrës e cila informon se, “shkolla 9-vjeçare “Vëllezërit Haradinaj” dhe kopshti me të njëjtin emër në njësinë administrative Rrashbull, Durrës, do të rihapë dyert në 26 nëntor, e rilindur nga gërmadhat dhe me kushte optimale, pa dallim nga shkollat e komunave europiane”.

Sipas bashkisë Durrës, brenda këtij viti 521 nxënës, 47 fëmijë dhe stafi pedagogjik i kësaj shkolle do të hyjnë në godinën e re, ku do të gjejnë një mjedis shkollor bashkëkohor dhe me standarde europiane. Në kuadër të programit të rindërtimit, 143 shkolla të reja me standarde europiane do të jenë gati brenda vitit 2021.