Rindërtimi i banesave individuale po vazhdon me ritme të shpejta në bashkinë e Kavajës. 110 banesa individuale në Kavajë do jenë gati për Vit të Ri, për banorët të cilëve iu dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit të kaluar. Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieret e ndërtimit të banesave individuale në bashkinë e Kavajës, ku puna po vijon me ritme të larta.

“Rindërtimi vazhdon. Shtëpitë e familjeve të Habib Bushit në Luz i Vogël dhe banesat e Kapllan Gjocit, Murat Misirit dhe Qazim Gjocit në Gjoc, si edhe plot 106 të tjera në Kavajë për familjet e mbetura pa strehë natën tragjike të 26 nëntorit, do t’i bëjmë gati për Vitin e Ri”, siguroi Kryeministri. “Qentë dihet, do lehin gjithnjë e më fort, por gjithnjë e më shpejt përpara do të shkojë karvani”, shtoi ai.

Programi i rindërtimit në Kavajë përfshin po ashtu edhe 7 pallate me 6 kate që do të mundësojnë strehimin e rreth 300 banorëve. Projekti i detajuar vendor për këtë bllok banesash parashikon edhe ndërtimin e shkollës profesionale, si dhe të gjithë infrastrukturën e nevojshme në shërbim të banesave. E gjithë zona e kantierit të ndërtimit është 3.5 hektarë. Në Kavajë do të ngrihen edhe 100 njësi shërbimi nga themelet me standardet më të larta.