Procesi i Rindërtimit vijon me intensitet të lartë në Shijak. Rindërtimi i kopshtit numër 1, pjesë e institucioneve arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të shkuar, është drejt përfundimit. 150 fëmijë pritet të akomodohen në strukturën e re moderne brenda fundit të nëntorit. Puna po zhvillohet me kapacitet të plotë dhe pritet të nis tashmë dhe faza e muraturës. Qytetarët e intervistuar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare shprehin vlerësimin e tyre për shpejtësinë dhe cilësinë e punimeve.

“Në lidhje me punimet që po vazhdojnë në qytetin e Shijakut është një risi kopshti i ri që po ndërtohet. Me punimet deri tani jemi shumë të kënaqur, po vazhdohet me ritme shumë të larta. Ishallah vijon gjithçka kështu siç është”, u shpreh një banor. “Po shumë mirë po bëhet!”; “Po, sjell shumë të mira dhe gjëra të dobishme për komunitetin”, u shprehën disa qytetarë të tjerë.

“Bravo Shijakut, nuk kemi parë kaq shumë punë sa ka bërë ky. Kopshti duket madhështor, shumë i fortë, duket nga pamja e jashtme. Në çdo pallat, në çdo ndërtim ka vetëm punime. Bravo, bravo, bravo, për të gjithë Shijakun. Kam dy vite që kam ikur nga Shijaku, por kur jam kthyer kam parë shumë ndryshime, me vërtet që ka rënë tërmeti, por po bëhen punime shumë shumë të mira”,- u shpreh njëri prej tyre për ATSH. Inxhinieri i zbatimit, Silvin Goxhaj, gjatë një prononcimi për ATSH, u shpreh se puna po zhvillohet me kapacitet të plotë. Sipas tij, kopshti që do të presë 150 vogëlushë do të jetë gati brenda fundit të nëntorit.

“Ndodhemi në kopshtin numër 1 të Shijakut. Ai bën pjesë në programin për rivitalizimin e zonës nga FSHZH për zonat e prekura nga tërmeti. Pra aktualisht po rindërtojmë një kopsht që ka qenë i dëmtuar nga tërmeti. Po punojmë me kapacitete të plota për të përfunduar brenda afateve të kërkuara, për brenda fundit të nëntorit”,- tha Goxhaj.

“Ky kopsht do të akomodojë 150 fëmijë të zonës së Shijakut dhe është sipas të gjitha standardeve dhe në bazë të rregullores së standardit të BE-së, si nga faza e projektimit, ashtu dhe sa i takon materialeve të përdorura, zjarrduruese dhe gjithashtu dhe sa i takon tërmeteve. Ky kopsht ka një hapësirë rreth 900 metër katror. Ka dy kate plus bodrumi, gjithashtu është i pajisur edhe me një ashensor për lëvizjen e personave me aftësi ndryshe dhe përmbush kapacitetet për objektin në fjalë”,- përfundoi Goxhaj.