Në Shijak po vijon me ritme të shpejta puna për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti. Në Gjepalaj në Shijak dita ditës po marrin formë banesat e 101 familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Kryeministri Edi Rama publikoi një video nga punimet që po kryhen në Gjepalaj në Shijak për rindërtimin e banesave të disa familjeve të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.
“101 banesa të reja dita ditës po marrin formë për familjet që do të rifuten në shtëpi e që s’kanë krahasim me ato që humbën nëntorin e shkuar. Qentë le të lehin karvani do të ecë më shpejt përpara”, shprehet Rama.
“Në banesën e Osman Rusit po punohet për realizimin e çatisë dhe vendosjen e instalimeve elektrike dhe hidraulike. Gjithashtu në banesën e Avni Dodës ka përfunduar muratura dhe betonimi trarëve. Po punohet për suvatimin e brendshëm”, bëhet e ditur në videon e publikuar nga Rama.
Në video gjithashtu bëhet e ditur se, “në banesën e Feim Gjepalit ka përfunduar betonimi i kolonave dhe po punohet për realizimin e muraturës. Gjithashtu në banesën e Astrit Gjepalit po vazhdon me ritme të mira procesi i realizimit të muraturës”. Në Shijak janë 650 banesa individuale dhe 30 banesa kolektive (pallate) që do të rindërtohen nga fillimi, pasi në total janë rreth 5000 banesa të dëmtuara. Më konkretisht, në bashkinë e Shijakut janë 5000 banesa që kanë dëmtime DS1, DS2 dhe DS3, pra të lehta, mesatare dhe të rënda.