Autoriteti i Komunikimeve Elektronike (AKEP) ka hartuar së fundmi një rregullore, sipas së cilës u mundësohet pajtimtarëve të mos marrin thirrjet pa kërkesë, nëse nuk e dëshirojnë këtë. Propozimi është që secili operator duhet të krijojë një bazë të dhënash të pajtimtarëve e cila të përmbajë zgjedhjet e pajtimtarëve për regjistrin “Do Not Call Me” dhe Numeratorin, dhe më pas këto të dhëna të përdoren për një regjistër kombëtar për thirrjet e pakërkuara dhe për ofrimin e shërbimeve të numëratorit telefonik dhe kërkimeve në numerator nga palët e interesuara. Operatorët dhe administratori i regjistrit kombëtar “Do Not Call Me” kanë detyrimin që të sigurojë integritetin, saktësinë, përditësimin dhe ruajtjen e konfidencialitetit të informacionit të pajtimtarëve sipas legjislacionit në fuqi.
“Çdo sipërmarrës ofrues i shërbimit publik telefonik që alokon numra për pajtimtarët përdorues fundorë të shërbimit publik telefonik, ka detyrim që brenda datës 1 mars 2021 të krijojë bazën e të dhënave të pajtimtarëve, në formatin e duhur elektronik, dhe që përmban informacionin lidhur me numrin e telefonit të pajtimtarit, emrin, mbiemrin e pajtimtarit/emrin e biznesit, ID e pajtimtarit, numrin unik personal/NIPT si dhe adresën e pajtimtarit. Po ashtu pajtimtari ka të drejtë të zgjidhë për thirrjet/komunikimet pa kërkesë, pra a dëshiron të jetë pjese e regjistrit “Do Not Call Me” (Mos më Merr në Telefon)”, thuhet në rregulloren e AKEP.