Udhëtimi me aeroplan mund të jetë më i sigurt sesa të punuarit në zyrë në kohën e pandemisë së koronavirusit, kanë thënë prodhuesit e aeroplanëve, Airbus, Boeing dhe Embraer. Airbus ka prezantuar një model kompjuterik që tregon se pasagjerët të cilët janë të ulur afër njëri-tjetrit dhe kanë maska të vendosura, u ekspozohen përgjysmë më pak stërpikave të pështymës, në krahasim me njerëzit që mbajnë distancë prej 1.8 metrash në zyrë.
“Ne kemi të dhëna konkrete që tregojnë se aeroplani është ambient më i sigurt sesa hapësirat e mbyllura publike”, ka thënë zyrtari për inxhinieri në kompaninë Airbus, Bruno Fargeon në një konferencë të Asociacionit Ndërkombëtar të Transportit Ajror (IATA) në Gjenevë. Duke përdorur modele të ngjashme, Beoing ka thënë se të ulurit afër njëri-tjetrit në aeroplan përbën gjë të njëjtë sikurse të qëndruarit dy metra larg në një dhomë konferencash.
Sipas IATA-s, vetëm 44 raste të infektimit janë raportuar nëpër aeroplanë deri më tani. Kjo i bie që një në 27.4 milionë pasagjerë është infektuar me koronavirus. “Edhe nëse 90 për qind të rasteve nuk janë raportuar, sërish do t’i binte një rast për 2.7 milionë udhëtarë”, ka thënë këshilltari mjekësor në IATA, David Powell.
Aeroplanët përdorin sisteme të filtrimit që pastrojnë gjithë ajrin çdo dy deri në tre minuta, në krahasim me dy deri në tri herë brenda orës nëpër zyre, sipas IATA-s. Sipas këtij grupi, kompanitë ajrore janë duke humbur gati 12 miliardë dollarë në muaj, teksa pandemia pengon realizimin e fluturimeve.