Drejtori i Urgjencës Kombëtare, dr. Skënder Brataj ka deklaruar se po vijojnë trajnimet për ekipet mjekësore në të gjitha nivelet, për t’ju përgjigjur situatës. Brataj shpjegoi se në momentin që pacienti përkeqësohet ose ka marrë një kurë të përcaktuar nga specialisti mund të bëhen trajtime në banesë.

“Po vijojmë me trajnimet jo vetëm të ekipeve të reja por të të gjithë stafit mjekësor, duke filluar nga mjekët e familjes. Ndërkohë, në bashkëpunim me mjekun e familjes dhe linjës 08004040 që bën lidhjen e menjëhershme me mjekun e familjes, do të integrojmë shërbimin në banesë.

Në momentin që pacienti përkeqësohet ose në momentin që pacienti ka marrë një kurim të përcaktuar nga specialisti mund të bëhen trajtime në banesë. Prej 3 vitesh ne kemi setin e plotë të urgjencës dhe i kemi të gjitha pajisjet. Kemi porositur të gjitha medikamentet që kemi porositur në bazë të protokollit përsa i përket trajtimit dhe të formës së mesme nga ekipet tona”, tha dr. Skënder Brataj.

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka pritu 571.990 thirrje dhe ka kryer mbi 103.117 mijë misione gjatë muajve të epidemisë. Janë 5.693 qytetarë të prekur nga virusi SARS COV2 që kanë marrë trajtim nga Urgjenca Kombëtare nga të cilat 2.895 në banesë dhe 2.798 janë transferuar në spital. Gjatë ditëve të fundit po vihet re një rritje e lehtë e numrit të thirrjeve në numrin unik të urgjencës kombëtare 127. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 1700 thirrje dhe janë kryer 45 misione në banesë, nga të cilët 22 janë dërguar në spital dhe 23 janë trajtuar në banesë.