Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj siguroi sot se “jemi angazhuar tërësisht për të pasur struktura të qëndrueshme dhe të dedikuara në luftën kundër korrupsionit në çdo nivel”.
“Si vazhdimësi e rezultateve shumë të mira të taskforcës kundër korrupsionit, kemi ngritur rrjetin antikorrupsion me koordinatorët në 17 agjencitë kryesore të administratës publike, në sektorët më nevralgjikë dhe veçanërisht të ndjeshëm ndaj korrupsionit”, tha Gjonaj.
Ajo theksoi se “koordinatorët shërbejnë si avokatët e qytetarëve në luftën kundër korrupsionit duke marrë dhe verifikuar denoncimet e qytetarëve për veprimet korruptive”.
“Thirrjes së hapur për të shërbyer në këtë mision të vështirë i janë përgjigjur një numër i lartë kandidatësh, të cilët pas një procesi përzgjedhës, ku janë verifikuar dhe vlerësuar si për kapacitetet profesionale por edhe për integritetin e tyre, mund të them me kënaqësi se kemi arritur të përthithim kandidaturat më të mira”, tha ajo.
Ky mekanizëm, sipas Gjonaj, mbështetet nga një taskforcë e ngritur në Ministrinë e Drejtësisë dhe patjetër do të ketë rezultate pozitive në evidentimin dhe hetimin e rasteve të korrupsionit në administratën publike.