Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi ka prezantuar në parlament Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyin.
Ruçi tha se Shqipëria ka qenë dhe është një vend që aspiratë të sajën ka integrimin europian, duke nënvizuar se brenda vitit do të ngrihet Gjykata Kushtetuese.
Fjala e kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi:
Të nderuar deputete e deputetë,
Sot në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë kemi një personalitet të lartë e të nderuar, një europaist të shquar, mikun e Shqipërisë, zotin Oliver Varheli, Komisioner i Bashkimit Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin.
I nderuar zoti Varheli,
Ju uroj mirëseardhjen në Kuvendin e Shqipërisë.
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, që, për shkak të rrethanave të pandemisë, e ndiqni këtë seancë në mënyrë virtuale.
Zoti Oliver Varheli është një politikan dhe diplomat i shquar. Ai ka dhënë një kontribut të madh për bashkëpunimin e vendit të tij të origjinës, Hungarisë, me Bashkimin Europian.
Zoti Varheli, Ju shpreh mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë për mbështetjen që Hungaria dhe katër vendet e Vishegradit i kanë dhënë procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Si Komisioner i Fqinjësisë dhe Zgjerimit të Bashkimit Europian, Ju shprehim mirënjohjen që vendimi i Këshillit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë u muar gjatë mandatit Tuaj.
Ju vini në Kuvendin e Shqipërisë vetëm një ditë pasi prezantuat Paketën e Zgjerimit të BE-së 2020 dhe Planin e Investimeve Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, ku vlerësuat reformat e Shqipërisë dhe bëtë thirrje për vazhdimin e tyre.
Ju vini në Kuvendin e Shqipërisë vetëm dy ditë pas votimit të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, të cilat iu afruan maksimalisht, aq sa ishte e mundur, projekteve të opozitës parlamentare dhe jashtë parlamentare, por çka është kryesorja, realizimit të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë për më shumë vendimmarrje në votimin e përfaqësuesve në degën legjislative.
Ne jemi tërësisht të angazhuar për këtë proces, duke plotësuar hap pas hapi rekomandimet e Këshillit Europian.
Kuvendi i Shqipërisë ka caktuar si objektiv bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese brenda këtij viti.
Dëshiroj tju siguroj se edhe për rekomandimet dhe përparësitë e tjera që na caktoi Këshilli Europian dhe të cilat Ju nënvizuat në prezantimin e datës 6 tetor, ne po punojmë më të njëjtin ritëm e përgjegjësi.
Para pak ditësh u kam nisur Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare një letër, në të cilën i informova mbi hapat e deritanishëm si edhe u bëra të njohur Rezolutën e Kuvendit dhe Planin e Masave për përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Evropian, miratuar së fundi nga Kuvendi i Shqipërisë.
Shqiptarët dhe popujt e Ballkanit Perëndimor ju janë mirënjohës për vlerësimin që u bëni si bashkëmbartës të vlerave europiane e perëndimore.
Këto vite do të shënohen në kujtesën europiane si vitet kur popujt e Ballkanit Perëndimor, të përjashtuar me forcë nga harta politike e Europës, po rikthehen me dëshirë dhe entuziazëm në familjen e tyre.
Të gjithë duhet të ndihemi krenarë që po kontribojmë që kufijtë politikë të Europës të afrohen me kufijtë kulturorë dhe qytetërues të saj.