Një rritje rekord e rasteve të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara po bën që spitalet të punojnë në prag të kapaciteteve maksimale. Shifrat e fundit flasin për deri në 1.000 të vdekur në ditë, ndërkohë që vemendja e vendit është përqendruar tek zgjedhjet presidenciale të së martës. Shtetet e Bashkuara regjistruan të premten rastin e 9 miliontë me koronavirus. Kjo përbën gati 3% të popullsisë, ndërkohë që ka patur rreth 229,000 të vdekur që nga shpërthimi i pandemisë në fillim të këtij viti.
Të enjten, SHBA theu rekordin e saj një ditor për infektimet me koronavirus, duke raportuar të paktën 91,248 raste të reja, ndërkohë që 17 shtete raportuan numrin e tyre më të lartë ditor të të shtruarve në spital me COVID-19, që nga fillimi i pandemisë.
Më shumë se 1,000 njerëz humbën jetën nga virusi të enjten, duke shënuar për herë të tretë në tetor kalimin e këtij pragu për vdekjet brenda një dite. Numri i pacientëve të shtruar me COVID-19 është rritur mbi 50% në tetor, duke arritur në 46,000, më i larti që prej mesit të gushtit. Ndër shtetet më të goditura janë ato ku edhe gara presidenciale mes Presidentit republikan Donald Trump dhe rivalit demokrat Joe Biden është më e fortë, si Miçigani, Karolina e Veriut, Ohajo, Pensilvania dhe Uiskonsin.