Drejtorja e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj deklaroi sot se deri në fund të vitit 95% e shërbimeve do të ofrohen online për qytetarët shqiptarë.
“Teknologjia është e ardhmja e sigurt për vendin tonë të vogël. Duke besuar fort në këtë bindje, prej vitesh ne jemi duke punuar për të ndryshuar realitetin. Kemi investuar në teknologji, në ndërtimin e sistemeve të reja që ndërveprojnë me njëra-tjetrën apo në trajnimin e burimeve njerëzore, dhe sot ia kemi dalë të ndryshojmë rrënjësisht sjelljen e shtetit ndaj qytetarëve dhe biznesit”, tha Karçanaj gjatë ceremonisë për hapjen e Akademisë së Kodimit, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama.
Sipas Karçanajt, Akademia e Kodimit sjell mundësinë që të rinjtë të trajnohen me modelet më të mira të programimit në teknologji dhe të jenë gati për tregun më dinamik dhe të mirëpaguar të punës. Karçanaj bëri të ditur se shërbimet publike janë të aksesueshme online në platformën e-albania.
“Brenda vitit 95% e tyre do të jenë vetëm online. E gjithë kjo punë ka bërë që qytetarët dhe bizneset ta kenë zgjidhjen e parë platformën e-Albania dhe besojmë fort te kjo platformë e cila ofron 1.1 milionë shërbime çdo muaj”, theksoi Karçanaj. Karçanaj u ndal edhe të vlerësimet që i janë bërë Shqipërisë pikërisht në ofrimin e shërbimeve online.
“Raportet e organizatave të mirënjohura botërore, OKB, OECD, Departamenti Amerikan i Shtetit, por edhe Bashkimi Europian kanë vlerësuar maksimalisht Shqipërinë për ofrimin e shërbimeve online, përmes platformës e-Albania dhe platformave dixhitale”, deklaroi Karçanaj. Akademia e Kodimit Protik është iniciativë e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Akademia e Kodimit sjell mundësinë që të rinjtë të trajnohen me modelet më të mira të programimit në teknologji dhe të jenë gati për tregun më dinamik dhe të mirëpaguar të punës.