Shkolla “Kajo Karafili” në Shijak, e cila u dëmtua nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë nëntorin e vitit që lamë pas, po rilind më e bukur, më e madhe dhe më e fortë.

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj i cili inspektoi punimet në këtë kantier bëri të ditur se nxënësit dhe mësuesit do të rikthehen këtë 26 nëntor, ashtu si edhe në 5 shkolla të tjera në Shijak, në mjedise të reja të projektuara sipas standardeve më të mira europiane.

Ministri informoi se ka filluar edhe rikonstruksioni i lotit të parë të shkollave që po financohen në kuadër të fazës së parë të programit të Bashkimit Europian EU4Schools.

Sipas ministrit Ahmetaj, në zonën e Shijakut janë në proces ndërtimi 567 banesa individuale dhe 400 prej tyre do të përfundojnë brenda këtij viti, duke bërë të mundur hyrjen në to të familjarëve.

Ahmetaj tha se në zonën e Durrësit e të Shijakut ka filluar faza e parë e ndërtimit të pallateve. Sipas tij, edhe në Tiranë do të hapet shumë shpejt kantieri i ndërtimit në zonën e 5 majit.

Ministri informoi edhe mbi ecurinë e shpërndarjes së granteve për meremetimin e banesave me dëme të lehta dhe të mesme. Sipas tij, nga fondi prej 9.6 miliardë lekësh, deri tani janë disburuar 7 miliardë lekë.