13 Tetor- Përgjegjsja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Prof. Silva Bino, e ka cilësuar vendimin për maskat me detyrim si një masë në kohën e duhur për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19. Bino shkruan se mbajtja e maskës mbrojtëse duhet të shoqërohet me distancimin fizik.
“Mendoj që vendimi vjen në kohën e duhur pasi sot kemi shumë më tepër fakte dhe të dhena nga bota, por edhe nga eksperienca tonë që tregojnë për rëndesinë e përdorimit të maskës në mjedise mbyllura dhe të hapura në drejtim të parandalimit të përhapjes së COVID-19. Mbajtja e maskës nuk përjashton distancimin fizik, por vërehet se distancimi fizik nuk ruhet përherë njerëzit takohen, qëndrojnë shpesh afër, pa kuptuar e ruajtur atë. Njerëzit flasin me njëri -tjetrin në rrugë, shkojnë në zyra apo mjedise të tjera jashtë banesës ku mund të ndodhë transmetimi. Pasi transmetimi ndodh jo vetëm kur kollitesh apo teshtin, por edhe kur flet sidomos me zë të lartë, kur këndon, merr frymë etj, pra mbajtja e maskës është një mjet i rëndesishem që pengon jo vetëm trasnmetimin e virusit nga një person që mund të jetë i sëmurë, por edhe parandalon marjen e këtij infeksioni nga personi tjetër. Këto janë të dhena që disponohen sot nga shumë studime”, shkruan Bino.
Bino thekson se një mbrojtje shumë të mirë mund të sigurojnë edhe maskat prej tekstili, të cilat mjafton të lahen dhe hekurosen dhe nuk kanë kosto.
“Kemi maskat kirurgjikale, por dhe maskat mbrojtëse prej tekstili të cilat duhet të kenëdy ose më shumë shtresa, lejojnë frymëmarjen dhe lahen e hekurosen dhe nuk kanë kosto, por që kanë treguar mbrojtje shumë të mirë”, nënvizon Bino.
Prof. Silva Bino shkruan se fëmijët nën një moshë të caktuar, persona të cilët kanë prapambetje mendore dhe nuk dinë ta vendosin apo heqin maskën apo persona që kryejnë aktivitet fizik nuk mund ta mbajnë maskën gjatë aktivitetit fizik. Po ashtu Bino thekson se kur hamë dhe pimë nuk mund të kemi maskë, por midis këtyre veprimeve maska duhet të mbahet.
“Natyrisht fëmijët nën një moshë të caktuar, persona të cilët kanë prapambetje mendore dhe nuk dinë të vendosin apo heqin maskën, apo persona që kryejnë aktivitet fizik nuk mund ta mbajnë gjatë aktivitetit fizik, përshembull vrapit apo kur i japim biçikletës apo gjatë futbollit si dhe te tjerë. Po ashtu kur hamë dhe pimë nuk mund të kemi maskë, por midis këtyre veprimeve maska duhet të mbahet”, thuhet në reagimin e prof. Silva Binos.