Një skandal ka ndodhur gjatë procesit të votimit të kandidatëve që pritet të futen në listat e PD-së për zgjedhjet e ardhshme. Demokratët i janë nënshtruar një procesi për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë, ku anëtarësia propozon emrat e kandidatëve për deputetë, komisioni bën vlerësimin dhe sërish degët votojnë emrat që kanë kaluar në fazat e mëparshme. Por çuditërisht në qytetin e Durrësit, nga 27 kandidatë për të cilët njoftoi dje zyrtarisht dega e Partisë Demokratike në këtë qark, numri pas votimit sot doli 28 kandidatë.

Zbulohet se emri i shtuar është ai i Enri Çenos, djali i ish-gjyqtarit të Apelit Durrës, Petrit Çeno, i njohur për disa çështje, përfshirë edhe skandalin e biletave të Real Madrid-Barcelona, ku bashkë me dy gjyqtarë të tjerë do të shkonte për të parë ndeshjen me paratë e biznesmenit, Namik Sadiku. Për këtë skandal Petrit Ceno në tetor 2019 është dënuar me 3 vjet burg për korrupsion. Ne shkurt 2019, para se të dënohej, u shkarkua nga komisioni i pavarur i Vettingut pasi rezultoi se fshehu pasurinë.

Enri Çeno kandidoi në Durrës në vitin 2017, por nuk u përzgjodh. Sot ai futet në listat e PD-së pa asnjë paralajmërim dhe pa kaluar procesin e votimit, për të cilën PD po mundohet aq shumë. Që nga ngritja e komisionit të vlerësimit të kandidatëve dhe deri tek nisja e procesit të votimit të tyre nga anëtarësia e PD-së u cilësua nga selia blu si një nga proceset më të vlerësuar ku u jepnin mundësi demokratëve të thonin zërin e tyre. Madje demokratët e Bashës ngritën çdo ditë në media zërin se ky proces ishte aq i drejtë dhe pozitiv, sa partitë e tjera duhet të merrnin shembull prej saj.

Por duket se ky proces ‘integrues’ ngeci, apo tregoi vlerën e tij të ‘vërtetë’ në votimet në Durrës. Ku nga 27 deputetë që iu paraqitën anëtarësisë në votim, te lista e fituesve dolën 28 kandidatë duke mbirë emri i Enri Çenos, djali i ish gjyqtarit të korruptuar. Ky në fakt është një skandal i vërtetë, ku nga njëra anë PD kërkon lista të hapura që qytetarët të thonë fjalën e tyre, dhe nga ana tjetër nuk i lë anëtarët e saj që të votojnë kandidaturat, por duke iu trembur një reagimi të tyre, preferon që t’i fusë ata fshehurazi në listat e tyre.

Votimet e PD janë cilësuar shpesh si farsë qesharake ku të gjithë kandidatët që garojnë, konfirmohen të gjithë, por mesa duket çështja është edhe më e rëndë, pasi ky skandal tregon se procesi është i manipuluar. Procedurat e votimit nga ana e anëtarësisë në Durrës u ndoqën personalisht nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi, i cili duhet të shpjegoje tani futjen misterioze në listën e kandidateve të djalit të gjykatesit të korruptuar.