Spitali i ri i urgjencës dhe patologjisë në Elbasan, nga një ngrehinë është transformuar tërësisht duke ofruar shërbime shëndetësore në kushte dhe standarde bashkëkohore.Kryeministri Edi Rama ndal sot te investimet që janë kryer në këtë spital, që sipas tij dëshmon vizionin e kësaj qeverie për shëndetësinë.
“Mirëmëngjes dhe me spitalin e ri të urgjencës dhe patologjisë në Elbasan, dikur një ngrehinë që rrinte në këmbë si shëmbëlltyrë e shëndetësisë që trashëguam dhe sot mishërim i vizionit tonë për shëndetësinë që po ndërtojmë ditë pas dite duke ju përgjigjur nevojave të qytetarëve aty ku banojnë, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama. Ndërkohë kushtet dhe shërbimi në këtë spital vlerësohen po ashtu edhe nga pacientët.
“Kam punuar në spital më shumë se 30 vjet dhe kjo godinë ku ndodhem sot, ka qenë dikur kirurgji. Më vonë kjo ndërtesë u kthye në një gërmadhë. Është kënaqësi e madhe që kjo godinë ka arritur të jetë një bukuri për qytetin e Elbasanit dhe më shumë se qyteti. Është modernizuar me të gjitha aparaturat e nevojshme. Stafi këtu shërben shumë mirë. Unë jam i sëmurë kronikë dhe vij shpesh në urgjencë”, u shpreh një prej pacientëve.